Lajm i mirë për mërgimtarët: BE-ja ndryshon rregullat, bagazhi i dorës dhe ulëset për fëmijët pritet të bëhen falas

Udhëtimet me avion drejt vendlindjes mund të bëhen më të lehta, më të lira dhe me më pak stres për miliona mërgimtarë, përcjell agjencia e lajmeve INA.

Parlamenti Evropian është duke shqyrtuar një reformë të madhe për të drejtat e pasagjerëve, e cila sjell risi mjaft pozitive për diasporën që udhëton shpesh për të vizituar familjet, veçanërisht gjatë pushimeve.

Më poshtë janë pikat kryesore të kësaj reforme që pritet t’ua lehtësojnë rrugëtimin bashkatdhetarëve tanë:

1. Çantat e dorës dhe laptopët – Falas dhe pa pagesa të fshehura

Një nga lajmet më të mira për mërgimtarët që udhëtojnë shpesh me kompani low-cost (me kosto të ulët) është rregullimi i çështjes së bagazhit. Propozohet që çdo pasagjer të ketë të drejtë të marrë një çantë shpine/laptop dhe një bagazh dore kabine pa asnjë pagesë shtesë. Po ashtu, po synohet heqja e tarifave absurde për regjistrim (check-in) apo për përmirësimin e ndonjë gabimi të vogël shkronje në biletë.

2. Ulëset pranë fëmijëve – Pa pagesë deri në moshën 14 vjeçare

Për familjet e mërgimtarëve që udhëtojnë me fëmijë, ky propozim është një çlirim i madh financiar dhe psikologjik. Reforma parasheh që fëmijët deri në moshën 14 vjeçare ta kenë të garantuar ulësen falas pranë prindërve të tyre, duke i dhënë fund praktikës së kompanive që kërkojnë pagesa shtesë vetëm që familja të qëndrojë bashkë gjatë fluturimit.

3. Kompensimi për vonesat – Formulari ju vjen gati

Nëse fluturimi juaj vonohet, ju takon dëmshpërblim prej 250 deri në 600 euro, varësisht nga gjatësia e relacionit. Parlamenti Evropian po insiston që ky rregull të mbetet në fuqi pas 3 orëve vonesë. Për më tepër, që mërgimtarët mos të humbin kohë me burokraci, po kërkohet që kompanitë ajrore t’ua dërgojnë vetë formularët e plotësuar gati për dëmshpërblim pasagjerëve të prekur.Sfida e vetme: Presioni nga kompanitë ajrore

Ndërsa Parlamenti Evropian po lufton për këto lehtësime, shtetet anëtare të BE-së (nën presionin e aviokompanive) po përpiqen që pragu i vonesës për dëmshpërblim të rritet nga 3 në 4 ose 6 orë. Kompanitë ankohen se rregullat e reja do t’i rrisin kostot e tyre, gjë që sipas tyre mund të çojë në shtrenjtimin e biletave.Pas vitesh negociatash për ndryshimin e rregullores së vjetër të vitit 2004, palët më në fund janë afër një marrëveshjeje përfundimtare. Për mërgimtarët tanë, ky mbetet një zhvillim tejet premtues që mund të thjeshtojë rrugën drejt vendlindjes./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu