Lajmi i fundit nga takimi i Këshillit të Përgjithshëm: LDK 100% për koalicion me Vetëvendosjen, por kusht kanë Presidentin

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike është mbledhur sot me ftesë të kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa. Gazeta Blic nga burime brenda takimit ka marrë vesh se të gjithë anëtarët e këtij këshilli po e mbështesin koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mirëpo, sipas këtij burimi brenda mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, po kërkohet që LDK mos të hyjë në koalicion pa e marrë postin e presidentit.

“Të gjithë folësit janë pro koalicionit me Vetëvendosjen, por që kusht e kanë postin e presidentit”, tha ky burim.

Pos presidentit, Këshilli i Përgjithshëm, po e kërkon me çdo kusht edhe postin e Ministrit të Punëve të Brendshme, thotë ky burim.

Sipas këtij burimi, kjo pritet të konfirmohet edhe formalisht, por një kërkesë e tillë do të bëhet publike nga drejtuesit e partisë edhe pas përfundimit të mbledhjes.

Ndryshe, këtë kërkesë ndaj Vetëvendosjes e ka parashtruar edhe Kryesia e LDK-së dhe kryetarët e degëve të kësaj partie.

Ndërkohë, lideri i VV-së para mbledhjes së Këshillit të LDK-së ka theksuar që shpreson që partia e Isa Mustafës të mos “betonohet” në kërkesat e saja.

“Unë me siguri që kam besuar se duhet të ketë takim këtë javë, por nuk dua të ndërhyj te LDK e cila ka thirrur Këshillin e Përgjithshëm. Vetëvendosje mbledhjen e këshillit do ta mbaj pasi ta kemi marrëveshjen me LDK-në. Mbetet të shihet se kjo mbledhje a është thirrur për të betonuar marrëveshjen me kërkesat e njohura deri më tani apo për ta zhbllokuar situatën”, është shprehur ndër të tjera Kurti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu