Lavrovi provokon amerikanët: Ata s’do të luftonin për Ukrainën

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) nuk do të luftojnë për Ukrainën në Donbas. Sipas tij, ata që e mendojnë të kundërtën nuk kanë vlerë.

Është e pakuptimtë që të llogarisësh në asistencën ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Kjo gjithmonë ka qenë e njohur për të gjithë. Nëse ndokush ka ndonjë iluzion se një ndihmë e tillë do të vinte, atëherë këshilltarët e tillë janë të pavlefshëm në cilëndo qeveri, përfshirë qeverinë e Zelenskyt”, ka thënë kryediplomati rus.

Lavrovi ka thënë se përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës lindore është e Perëndimit, sepse, sipas tij, Perëndimi ka ndikim të vërtetë te udhëheqësia ukrainase dhe mund ta bindë atë që të marrë hapa të nevojshëm për ta zbatuar marrëveshjen e Minskut.

Më tutje, Lavrovi ka thënë se liderët e Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës kanë punuar në marrëveshjen e Minskut për më shumë se 17 orë radhazi dhe se të gjithë hapat dhe rrjedha e tyre janë të vërtetuar tërësisht dhe se përpjekjet për ta ndryshuar rendin ose vetë hapat nuk do të çojë askund.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu