Lidhja Demokratike e Kosovës ka denoncuar publikisht atë që e cilëson si presion ndaj delegatëve për mënyrën e votimit, një ditë para mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm, ku do të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
LDK ka akuzuar zyrtarë të Komunës së Prishtinës, e drejtuar nga Përparim Rama, për ushtrim presioni ndaj delegatëve. Rama ka fituar dy herë drejtimin e kryeqytetit të Kosovës si kandidat i LDK-së.
Përmes një deklarate, partia i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet për të zbardhur pretendimet.
“Ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e rastit dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale. LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve tona demokratike dhe dinjitetin e njerëzve tanë. Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë”, thuhet në deklaratën e partisë.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së do të mbahet të enjten në mbrëmje, ku 355 delegatë do të vendosin nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të drejtojë partinë.
LDK u rendit forca e tretë politike në zgjedhjet e 7 qershorit dhe në legjislaturën e re do të përfaqësohet me 18 deputetë në Kuvendin e Kosovës.










