Pronarët e ndërtimeve pa leje kanë afat prej gjashtë muajsh pas miratimit të ligjit të ri për legalizim të parashtrojnë kërkesë dhe të paguajnë komunale me vlerën e plotë dhe jo një euro për një metër Parashikohen edhe dënime prej 50 për qind në vlerën totale. Në të kundërtën rrezikohet rrëzimi i ndërtimeve
Ministria e Transportit pret që pas pesë viteve më në fund të përfundojë procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Maqedoni. Pritet që me ndryshimet më të reja të Ligjit për legalizimin e ndërtimeve pa leje të legalizohen ndërtimet pa leje të ndërtuara deri më një tetor të këtij viti, ndërsa parashikohet që rolin kryesor të kenë komunat që do të duhet të vendosin a po përputhet ndërtimi ilegal me planin urbanistik, shkruan gazeta KOHA. Në se nuk përputhet parashikohet që të jepet leje për rrëzimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Njëherazi me propozimin ligjin e ri të prezantuar nga qeveria që duhet të fitojë dritë të gjelbër nga Kuvendi, parashikohet se ndërtesat e ndërtuara në mënyrë joligjore dhe mbi ndërtimet nuk do të legalizohen. Pritet që me ligjin e ri qo të miratohet me procedurë të shkurtuar të legalizohen së paku 100 mijë objekte të ndryshme që janë ndërtuar pa leje.
Nga Ministria e Transportit thonë se pronarët e ndërtimeve pa leje kanë afat prej gjashtë muajsh pas miratimit të ligjit të ri për legalizim , të parashtrojnë kërkesë dhe të paguajnë komunale me vlerën e plotë dhe jo një euro për një metër. Parashikohen edhe dënime prej 50 për qind në vlerën totale. Në të kundërtën rrezikohet rrëzimi i ndërtimeve. Objekt i legalizimi do të jenë garazhat,pishinat, objektet e përkohshme në bujqësi si dhe objektet ilegale të institucioneve shtetërore etj. Mirëpo nuk do të mund të legalizohen ndërtimet, mbindërtimet, verandat dhe ndërtimet pa leje në hapësirën e mbrojtur të liqenit të Ohrit.
Në tetë vitet e kaluara, apo nga viti 2011 e këndej disa herë është ndryshuar dhe plotësuar Ligji për legalizim si dhe janë zgjatur afatet. Në të kaluarën janë parashtruar mbi 400 mijë kërkesa , ndërsa deri tani janë legalizuar mbi 240 mijë objekte, ndërsa 100 mijë janë në procedurë e sipër. Njëherazi qytetarët që kanë parashtruar kërkesat sipas ligjit të vjetër , edhe më tej do të legalizojnë objektet e tyre për një euro për një metër katror. Qytetarët që nuk kanë dorëzuar dokumentet e nevojshme me kohë deri më 31 dhjetor të vitit 2018 , apo kanë qenë paraprakisht të refuzuar do të mund sërish të kërkojnë legalizimin, por me çmim më të shtrenjtë. Njëherazi nga pagesa janë të liruar rastet sociale.
Ministria e Transportit ju ka bërë thirrje komunave që të mos lejojmë më ndërtime pa leje. “Ju bëj thirrje komunave që të kompletojnë shërbimet inspektuese dhe të zbatojnë Ligjin për ndërtim me qëllim që të mos ketë në të ardhmen ndërtime pa leje. Ky ligj parashikon edhe dënime me burg që të dekurajohen qytetarët të ndërtojnë pa leje, ndërsa edhe çmimi që duhet të paguhet për legalizimin e ndërtesave pa leje nuk motivon, për shkak se për ndërtimin legal paguhen vetëm taksat komunale. Pra mbetet që zgjidhja e statusit të realizohet me legalizim apo me rrëzim, për shkak se nuk ka zgjidhje tjetër”, thekson Sugarevski.
Nga Bashkësia e Njësive të Vetë administrimit lokal që ishin të përfshirë në ndryshimet ligjore, thonë se ndërtimet pa leje ishin, por edhe janë një ngarkesë e madhe për komunat për shkak se krijojnë një presion të madh lidhur me ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme duke filluar nga rrugët, dhe objektet e tjera. “Të dhënat tona tregojnë se në vend ka mbi 70 mijë objekte të ndërtuara pa leje dhe atë kryesisht objekte individuale, por ka edhe objekte afariste që do të jenë objekt i legalizimit .Gjithashtu ndryshimet ligjore nuk po miratohen nën presion politik, por nën presionin e qytetarëve që kërkojnë legalizimin e objekteve të tyre ‘, thonë nga BNJVL.
Nga ana tjetër, propozim ligji i ri për legalizimin e ndërtimeve pa leje ka hasur edhe në kundërshtime nga ana e një pjesë të juristëve dhe ekspertëve të ndërtimit. Për juristët një model i tillë i legalizimit është kundërkushtetues për shkak se dekriminalizon veprën penale të ndërtimit pa leje, ndërsa për ndërtimtarët miratimi i një ligji të tillë duhet të hyjë në fuqi vetëm nëse nuk lejon që të përfshihen edhe objektet që nuk posedojnë bile plan për ndërtim. Njëherazi vlerësohet se në këtë mënyrë po dëmtohen dhe dënohen qytetarët apo firmat që në vitet e kaluara kanë ndërtuar sipas ligjit dhe kanë respektuar të gjitha procedurat, ndërsa vendosen në pozita të favorshme ato që kanë ndërtuar pa leje dhe kanë mundësi të paguajnë më vonë. Profesori i Fakultetit të ndërtimtarisë në Shkup, Goran Markovski vlerëson se duhet pasur kujdes që të mos legalizohen objektet nëse ato i pengojnë dikujt dhe nëse ato kërcënojnë objektet e tjera.
“Gjatë legalizimit të ndërtimeve pa leje duhet pasur kujdes edhe për konstruksionet e objekteve , apo duhet kontrolluar se a është e ndërtuar objekti pa leje sipas standardeve. Njëherazi duhet pasur kujdes që gjatë legalizimit të tyre ato të mos paraqesin pengesë për shfrytëzimin normal as të objekteve dhe as të hapësirave të përbashkëta në objektet banesore, për shkak se një legalizim i tillë i ndërtimeve pa leje paraqet edhe uljen e cilësisë së jetesës dhe uljen e vlerës së tyre“, thekson Markovski. Në ndërkohë, edhe nga institucione vendore me renome evropiane, Instituti për inxhinieri të tërmetit dhe sizmologji inxhinierike kanë bërë apel për më shumë kujdes gjatë legalizimit të ndërtimeve pa leje.
“Nuk kemi të dhëna se si janë projektuar dhe si janë ndërtuar banesat e ndryshme që duhet të legalizohen, andaj edhe është vështirë të konstatohet se sa objekte të tilla janë të sigurta për jetesë. Bile përvojat nga tërmetet tregojnë se pikërisht objektet e tilla kanë dëmtime më të mëdha. Më së miri do të ishte të mos ketë aspak objekte të ndërtuara pa leje, megjithatë për ato që janë ndërtuar nevojitet të vendosen në sistem dhe të dorëzohet dokumentacioni projektues që do të ishte hapi i parë për vlerësimin e stabilitetit të tyre në bazë të dhënave teknike “, thotë Vllato Sheshov, drejtor i këtij instituti. Sipas tij, nevojitet të ofrohen edhe të dhëna se me cilat materiale dhe si janë ndërtuar objekte të tilla.
Ndryshe, më 31 dhjetor të viti 2018 skadoi afati për dorëzimin e kërkesave të reja për legalizimin e patundshmërive, si dhe afati për dorëzimin e dokumenteve që mungojnë, ku dominonte elaborate gjeodezik. Me fjalë të tjera pasi shteti tri herë prej muajit mars të vitit 2011 deri në fundin e vitit të kaluar iu mundësoi qytetarëve të legalizojnë pronat e tyre, konform Ligjit për veprimin me objektet e ndërtuara pa leje, akoma një pjesë e madhe e kërkesave të qytetarëve kanë mbetur të pazgjidhura dhe po qëndrojnë në sirtarët e komunave si rrjedhojë e problemeve të ndryshme administrative. Tani mbetet shansi i fundit deri më fundin e muajit qershor të vitit 2020, për legalizimin e objekteve që nuk janë legalizuar deri tani.










