Kryeministrat e vendeve të rajonit morën pjesë në pjesën e dytë të sesionit plenar të nivelit të lartë të titulluar “Rivendosje e sinergjisë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor” që zhvillohet në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog (FPD).
Duke theksuar se kur lidhjet trans-atlantike janë të fuqishme, Ballkani Perëndimor është i fuqishëm dhe stabil, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se duhet të ketë transformim të lidhjeve trans-atlantike.
“Lidhjet trans-atlantike duhet të jenë të transformueshme, në mënyrë që t’i përgjigjen çdo sfide me të cilën të gjithë ne mund të përballemi në të ardhmen dhe kjo përgjigje duhet të jetë unanime, e fuqishme, stabile, e shpejtë dhe me vendosmëri“, tha Zaev.
Ai gjithashtu tha se BE-ja mund të përcaktojë prioritete, kritere apo data për anëtarësim, por nuk mund të përcaktojë vendosjen gjeografike, kulturën dhe identitetin evropian si dhe të ardhmen evropiane.
“Nëse mund të matim depresionin, ata janë më në depresion se ne, në Bashkimin Evropian”
Ndërkohë, duke folur për mungesën e vendimit të BE-së për të caktuar mbledhje ndër-qeveritare me BE-në dhe fillim të bisedimeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se kjo më nuk i bën përshtypje.
Duke bërë krahasim, ai tha se mund të organizoni një dasmë me të gjitha nishanet një herë dhe dy herë, por nusja nuk shfaqet. Nëse më pas shfaqet nusja, shtoi ai, ju më nuk organizoni dasmë.
“As që kemi nevojë t’u themi më këtyre personave që vijnë nga Evropa: Dëgjoni, nëse nuk na merrni, të tjerët do të na marrin, aktorë të tretë do të vijnë tek ne. Duket sikur jemi dhëndër të dobët duke i thënë nuses së ardhshme: Hej, nëse nuk martohesh me mua, ka ca kudra (bitches) që do të më marrin. Jo! Harrojeni! Dëshiroj të mos shprehem më në mënyrën sikur ‘ne jemi të irrituar, jemi në depresion’. Jo, ne nuk jemi të irrituar, nuk jemi në depresion. Ne jemi mirë, jemi thjesht mirë. Sinqerisht, nëse mund të matim depresionin, ata janë më në depresion se ne, në Bashkimin Evropian, ata janë më të irrituar se ne. Pra, le të mos flasim për irritim dhe depresion“, tha Rama.
Duke u ndërlidhur me kryeministrin Rama, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha se kanë tejkaluar ndjenjat e irritimit dhe depresionit, duke shtuar se tani është një ndjenjë e çlirimit, për çka në mënyrë ironike falënderoi BE-në.
“Për momentin, ju jeni në depresion, jeni të irrituar, të dëshpëruar-të irrituar (përsëri) dhe pastaj nuk prisni asgjë më dhe jeni të çliruar. Dhe kjo është mendoj se si ndihemi të gjithë, që është një ndjenjë e shkëlqyer dhe në të vërtetë nuk do ta kishim pa BE-në. Faleminderit shumë për këtë!”, tha Brnabiç.
Ajo tha se në ndërkohë, vendet po fokusohen më shumë në bashkëpunimin rajonal, respektivisht në gjërat që vendet e rajonit mund t’i bëjnë bashkë për të rritur kualitetin e jetës së njerëzve.
“Prapëseprapë, BE-ja është shpresa jonë më e mirë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij u shpreh se vendi i tij ndan zhgënjimin që BE-ja nuk filloi bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por theksoi se sërish, BE-ja është alternativa e vetme.
“Duke qenë i vetmi vend, qytetarëve të të cilit po u mohohet liberalizimi i vizave, më besoni, ne e kuptojmë plotësisht zhgënjimin. Megjithatë, ne duhet të tregojmë forcë dhe durim dhe të mos marrim vendime të nxituara që nuk u shërbejnë as interesave të vendeve tona, as interesave të qytetarëve tanë dhe rajonit tonë. Po, BE-ja është e ngadaltë. Po, i mungon uniteti, por prapëseprapë, BE-ja është shpresa jonë më e mirë, dhe të jem i sinqert, është e vetmja alternative që kemi. Jo sepse nuk kemi zgjedhje, por sepse natyrshëm përkasim aty“, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës u shpreh se vendet nuk duhet të shmangin përgjegjësinë me veprime që shkaktojnë paqartësi dhe përçarje mes vendeve të Ballkanit, siç është sipas tij, iniciativa e ashtuquajtur “mini-Shengen”.
Kjo iniciativë refuzohet fuqishëm nga Kosova, tha Kurti, duke shtuar se pakënaqësitë me BE-në nuk duhet instrumentalizuar nga shtetet që nuk e pëlqejnë NATO-n dhe pranojnë Federatën Ruse.
Kujtojmë se dje dhe sot në Ohër dhe Oteshevë të Maqedonisë së Veriut për herë të parë mbahet Forumi i Prespës për Dialog me konferencën e titulluar “Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë“.









