Judmir Shurdhi, drejtor i burgut të Lushnjes dhe kartelisti Llazar Mino përfunduan në pranga pasi akuzohen se liruan nga burgu 4 muaj e 22 ditë para kohe të fortin e Beratit, Lulzim Caka.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj përmes një deklarate për mediat njoftoi se pas lirimit nga burgu të Cakës nisi menjëherë hetimi i brendshëm dhe në fund rezultoi se është liruar para kohe.
Sipas Gjonajt, Lulzim Caka u lirua 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të burgut Lushnjë dhe lëshimit të urdhrit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga drejtori.
Pas arrestimit ata akuzohen për “Shpërdorimin Detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërkohë që Lulzim Caka është shpallur në kërkim për ta rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.










