Lista e Zezë Amerikane, ngec në Kuvend Ligji për masat kufizuese?

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut në prag të zgjedhjeve janë të ndara sa i përket Ligjit për masat kufizuese për personat që janë të përfshirë në Listën e Zezë Amerikane, për korrupsion dhe përfshirje në procese destruktive në vend, përcjell INA.

Ligji, i cili parashikon që të gjithë ata që janë në listën e zezë të SHBA-së të ndalohen të ushtrojnë funksione publike, është bllokuar në procedurë parlamentare për shkak se nuk është caktuar ende seanca e komisionit amë për politikën e jashtme. Ky organ parlamentar udhëhiqet nga opozita VMRO-DPMNE, të cilën LSDM-ja në pushtet e ka thirrur vazhdimisht për caktimin e seancës.

“Listat e zeza do të zbatohen duke vepruar sipas Ligjit për masat kufizuese”, tha zëvendësministre e drejtësisë nga radhët e LSDM-së, Viktorija Avramovska Madiq në emisionin “Top Tema” në TV Telma. Ajo kërkoi përgjigje nga Mile Lefkov, deputet i VMRO-DPMNE, se pse partia e tij është duke penguar miratimin e ndryshimeve në këtë ligj.

“Kryetari i komisionit është nga partia juaj politike, pse nuk e ka caktuar komisionin? Ligji u propozua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe me iniciativën e Sllavica Grkovska, zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë. Programoni komisionin dhe do të keni seancë amendamente”, tha Viktorija Avramovska Madiq.

Por, Lefkov nga VMRO-DPMNE opozitare theksoi se ky ligj kërkon diskutim publik. Por nëse tentojnë ta miratojnë këtë ligj, atëherë kryetari i Kuvendit mund t’ia heqë kompetencën kryetarit të Komisionit dhe ai mund të thërrasë seancën.

“Thirreni kryetarin e Kuvendit Jovan Mitreski, le t’ia heqë kompetencën kryetarit të komisionit (Antonio Milloshoski) dhe le ta thërrasë komisionin, le t’i konfirmojë ndryshimet dhe le të vijnë në seancë plenare dhe ta votojnë lirisht. E vetmja gjë që sugjerojmë është që të hapet sërish dëgjesa publike”, ka thënë Lefkov.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu