Sekretari i Përgjithshëm i ASH-së, Krenar Lloga në emisionin e mbrëmshëm Klan Debat i bëri thirrje kreut të ASH-së Arben Taravarit që t`i dorëzojë vulat e partisë, pasi për ta janë shumë të rëndësishme. SIpas Llogës, Taravari e ka pranuar se për të, partinë nuk e bëjnë vulat e as selia.
“Në deklaratën e tij, ai thotë se nuk kanë rëndësi vulat dhe logot. Kështu që unë i bëj një thirrje nga kjo studio televizive se nuk ka nevojë të shkojmë në gjykatë, pasi nuk qenkan të rëndësishme vulat, kurse ne i kemi shumë të rëndësishme. Kjo pjesë e Aleancës i ka të rëndësishme vulat me këtë flamur të Aleancës, me këto vula të Aleancës ne e kemi rrugëtimin tonë politik” – tha Krenar Lloga.
Duke komentuar zhvillimet brenda ASH-së dhe reshtimin e Taravarit krah opozitës shqiptare, Lloga potencoi se oferta që Taravari e ka marrë nga LEN nuk është më e madhe se 5 deputetë.
“Sa deputetë merr Aleanca nga ky koalicion, e pyeta. Më tha, 5-6. Po i them në 10 deputetë, 30 përqindëshi është 3. Në 5 është 1. dmth në këtë që më përkthen në numra Aleanca duhet të përgjysmohet në koalicionin me LEN dhe unë nuk mund ta pranoj se Aleanca duke qenë e vetme, ka kapacitetin që në rezultatin më të keq të saj të ketë 6 deputetë” – deklaroi Lloga.
Ndërkaq, sa i përket koalicionimeve me partitë e sapoformuara, PDE e Arjanit Hoxhës dhe Lëvizja “Populli” e Skënder Rexhepi Zejdit, Lloga tha se Këto tema akoma nuk janë diskutuar.
Sipas tij, në fuqi mbetet vendimi i kryesisë qendrore që vetë të shkohet në zgjedhje. /tvklan.mk