Me anë të një shpalljeje publike, partia opozitare, LSDM, ka reaguar sot për mos-informimin e qytetarëve nga ana e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike për rrezikun e mundshëm nga reshjet intensive të shiut, njofton Portalb. LSDM, kështu u bën thirrje institucioneve kompetente të sillen me përgjegjshmëri dhe të kontribuojnë në parandalimin e përmbytjeve të mundshme.
“Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike dhe autoritetet kompetente përsëri nuk dhanë asnjë paralajmërim, as nuk shpallën rekomandime për masa eventuale mbrojtëse për shiun që intenzivisht bie tashmë dy ditë.
Qytetarët nuk kanë kurrëfarë informatash në lidhje me atë se sa litra shi kanë rënë për metër katror, çfarë është niveli i ujit i pellgjeve të lumenjve, e as a ekziston rreziku i përmbytjeve të reja në rajonet e përmbytura.
Është e pakonceptueshme që Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike dhe drejtori i këtij institicioni në ditën e njëjtë, sot, të dalin me dy informacione të ndryshme, sidomos nëse merret parasysh se pikërisht për shkak të performancës së dobët të institucioneve të Shkupit ka ndodhur përmbytja me së paku 23 të vdekur.
Në informatat e mëngjesit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, të nënshkruar nga drejtori Oliver Romevski nuk ka kurrëfarë paralajmërimi për rrezikun nga reshjet!
Por në pjesë tjetër të web-faqes së Drejtorisë , në hartë mund ta shihni rajonin e Pellagonisë është ngjyrosur me ngjyrë portokalli, që tregon RREZIK TË VEÇANTË!”
LSDM kërkon sqarim pse Romevski dhe Drejtoria në fjalë, i lënë qytetarët t’i interpretojë hartat, duke shtuar se kjo papërgjegjshmëri do të ndëshkohet ditën e zgjedhjeve, “Për shkak të mos-informimit me kohë dhe paralajmërimit nga ana e Drejtorisë dhe autoritetet kompetente një muaj më parë, qytetarët akoma nuk mund ta kthejnë jetën në normalitet. Kjo është paaftësia dhe papërgjegjshmëria e qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe Koce Trajanovskit. Për shkak të gjithë kësaj, përgjegjësi patjetër të ketë dhe do të ketë. Pas 11 dhjetorit vjen Qeveri e përgjegjshme me institucione funksionale të cilës priorit i lartë do t’i jenë nevojat e qytetarëve të Maqedonisë.”/Portalb.