LSDM-ja dhe VMRO-ja refuzojnë kushtin e VLEN-it dhe BDI-së për presidentin

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut tani që ndodhen në mesin e fushatës për rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kanë aktualizuar çështjen e zgjedhjes së kreut të shtetit përmes Parlamentit, pas përfundimit të mandatit të presidentit të ri që do të zgjidhet në rundin e dytë më 8 maj, raporton REL.

Debati është ndezur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që është pjesë e Qeverisë aktuale, e cila doli me ofertën drejtuar dy partive maqedonase, që nëse duan votat e kandidatit të saj për president, Bujar Osmani, në rundin e dytë të zgjedhjeve, të pranojnë kërkesën e këtij subjekti që presidenti në të ardhmen të zgjidhet nga Kuvendi.

Zgjedhjen e presidentit nga Parlamenti e ka propozuar edhe kandidati i opozitës shqiptare VLEN, Arben Taravari.

Por, kjo kërkesë është refuzuar në mënyrë kategorike si nga Partia Social Demokrate (LSDM) e ish-kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, ashtu edhe nga VMRO DPMNE-ja e pretendentit për kryeministër të ri, Hristijan Mickovski.

Bazuar në të gjitha ciklet e deritanishme zgjedhore, në rundin e dytë çdoherë kanë kaluar kandidatët e dy partive maqedonase, LSDM dhe VMRO, por votat e partive shqiptare në vazhdimësi kanë përcaktuar fituesin.

Kjo ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale që u mbajtën më 2019.

Atëbotë, në rundin e parë kandidatja e VMRO DPMNE-së kishte fituara më shumë vota se kandidati i LSDM-së, por në rundin e dytë, kandidati socialdemokrat, që tani është president, Stevo Pandarovski, u zgjodh në krye të shtetit pas mbështetjen që mori nga elektorati shqiptar.

BDI-ja konsideron se në rundit e dytë do të jetë përcaktues në zgjedhjen e presidentit, andej edhe doli me kushtin që votat e Bujar Osmanit do t’i ketë ajo parti që mbështet zgjedhjet e presidentit në Parlament.

Kjo parti që drejtohet nga Ali Ahmeti, beson se në të ardhmen e afërt, presidenti i shtetit do të jetë një shqiptar, njëjtë sikur që tani është kryeministri shqiptar, apo sikur që ishte edhe kryetari i Kuvendit.

Edhe opozita e bashkuar shqiptare kërkon që presidenti të zgjidhet përmes Kuvendit. Ajo gjithashtu ka propozuar që krahas presidentit të zgjidhet edhe një nënpresident, i cili do t’i takonte njëri nga dy komuniteteve më të madhe, shqiptarëve apo maqedonasve, varësisht se kush do të caktohej në krye të shtetit.

Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka kompetenca të kufizuara. Ai është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, dekreton mandatarin për formimin e Qeverisë, emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët, pranon letra kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë, propozon dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese si dhe dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor, propozon Guvernatorin e Bankës Popullore, cakton disa drejtues në postet e sigurisë, ka të drejtën e faljes në përputhje me dispozitat ligjor si dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutën maqedonase.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu