LSDM: Sonte vendimi se a do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë sonte pritet t’u japë fund dilemave se a do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale, si dhe a ka gjasa që partitë e shumicës parlamentare të dalin me një kandidat konsensual për president, apo të gjitha do të garojnë me kandidatët e tyre.

Përgjigja e këtyre çështjeve do të dalë nga mbledhja e sotme këshillit ekzekutiv të LSDM-së.

Shumica e anëtarëve të këtij këshilli vazhdojnë të jenë kundër opsionit që së bashku me zgjedhjet presidenciale të ketë edhe parlamentare, dhe ky si duket do të jetë edhe vendimi final, por ka edhe të atillë që kërkojnë vendim pozitiv, pasi vendi po futet në afat parazgjedhor, të realizohen edhe ato parlamentare. Të dy grupet kanë argumentet “pro” dhe “kundër”.

Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, cenzusi prej 40% për zgjedhjet presidenciale do të arrihet më lehtë, argumentojnë ata që janë pro, por kundërshtarët e zgjedhjeve thonë se vihen në pikëpyetje reformat që dalin nga proceset integruese.

Bazuar në afatet e kodit zgjedhor, zgjedhjet e parakohshme do të mund të organizoheshin në rrethin e dytë të presidencialeve. Kundër zgjedhjeve të parakohshme janë shprehur edhe nga BDI, e cila vlerëson se nuk është koha për zgjedhje dhe se vendi duhet të përqendrohet në integrimet evropiane.

Rreth këtyre zhvillimeve është paralajmëruar edhe një takim mes liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe atij të BDI-së, Ali Ahmetit.

Një takim i tillë mund të realizohet gjatë ditëve në vazhdim, ku sidomos do të definohej kandidati konsensual për president, thonë burime partiake./TVM


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu