LSM padit Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) si sindikatë përfaqësuese në nivel kombëtar dhe në sektorin privat dhe publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut përfaqëson të gjithë punëtorët dhe kujdeset për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre nga punësimi. Në këtë drejtim, LSM ka ngritur padi në interes publik kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut si e paditur në procedurë për faktin se një numër i madh i të punësuarve në sektorin publik janë diskriminuar nga veprimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Qeveria nuk ka vepruar plotësisht në përputhje me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale të publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 41 të vitit 2022, me të cilin është përcaktuar shuma e pagës minimale në vlerë prej 18.000 denarë në shumën neto, që paraqet rritje prej 18.4 për qind në raport me vlerën e pagës minimale të mëparshme. Në bazë të nenit 8 të Ligjit për pagën minimale, ishte e nevojshme që pagat e të gjithë punëtorëve të harmonizohen me rritjen e pagës minimale”, thuhet në njoftimin e LSM-së.

Pagat e punonjësve të tjerë që kanë pagë nën minimumin, për disa të punësuar, janë në përputhje me rritjen e pagës minimale, ndërsa pa arsye të justifikuara dhe në kundërshtim me ligjin, thuhet në njoftim, Qeveria nuk e ka bërë këtë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, gjegjësisht pa kriter pagat nuk janë rritur fare, ndërsa në ndonjë vend janë ngritur pagat për një kategori të caktuara të punësuarish në krahasim me kategoritë e tjera të të punësuarve në sektorin publik për të cilët Qeveria është punëdhënës i drejtpërdrejtë.

“Duke vepruar në këtë mënyrë, Qeveria ka shkelur parimin e barazisë së qytetarëve dhe punëtorëve, i cili është i rregulluar në nenin 9 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me realizimin e të drejtave dhe obligimeve të tyre që rrjedhin nga marrëdhënia e punës. Respektimi i parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit në ushtrimin e të drejtave të punës si pjesa më e rëndësishme e të drejtave civile është tregues nëse një shtet është i orientuar në mënyrë demokratike dhe nëse shpreh kujdes të barabartë pa diskriminim ndaj të gjithë qytetarëve dhe punëtorëve të tij”, shtojnë nga LSM./Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu