Ludva: Në vitin 2030 mund të anëtarësohet Maqedonia në Bashkimin Evropian

Maqedonia mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2030, parashikon ambasadori çek në vend, Jaroslav Ludva. Republika Çeke aktualisht kryeson me Unionin dhe siç tha ambasadori në një intervistë për MIA-n, Praga do të jetë mbështetëse e fortë e anëtarësimit të vendit.

“Sot kemi situatë të re gjeopolitike dhe mendoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE. Sigurisht që Ballkani Perëndimor duhet të jetë i përgatitur, pa dyshim, por procedura duhet të mos pengohet duke pasur parasysh situatën gjeopolitike. Ballkani Perëndimor duhet të jetë në Evropë. Prandaj mendoj se viti 2030, nëse gjithçka shkon pa problem, është i arritshëm”, tha Jaroslav Ludva – ambasador i Republikës Çeke.

Ambasadori theksoi se Republikës Çeke iu deshën tetë vjet nga fillimi i negociatave deri në anëtarësim. Megjithatë, i tillë nuk është rasti me vendet e Ballkanit Perëndimor. Serbia ka nëntë vite që negocion dhe ka arritur të mbyllë vetëm dy kapituj, ndërsa për Malin e Zi procesi vazhdon për vitin e dhjetë dhe janë mbyllur tre kapituj negociator. Deri më tani, vetëm kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka vendosur afat përfundimtar për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor – vitin 2033. Sipas tij, është e rëndësishme të përcaktohet një afat kohor për përfundimin e procesit të anëtarësimit të rajonit. Mirëpo, liderët e Brukselit, të paktën në rastin e Maqedonisë, nuk kanë theksuar data dhe kanë thënë se negociatat janë proces i gjatë.

Nga ana tjetër, politikanët vendas ndanë parashikime shumë optimiste, edhe pse Maqedonia po përballet me skrining, por edhe ndryshime kushtetuese për futjen e bullgarëve, për t’u hapur kapitujt. Kryeministri Dimitar Kovaçevski beson se qytetarët dhe Kuvendi do të mundësojnë integrimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Partneri i koalicionit Ali Ahmeti shkoi një hap më tej. Sipas liderit të BDI-së, jemi pesë vite larg anëtarësimit në Union, pra do të ndodhte në vitin 2027. I pyetur se në çfarë bazohet ky optimizëm, zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq së fundi është përgjigjur se Maqedonia ka punuar dhe nuk ka humbur kohë duke qenë në dhomën e pritjes. Ai tha se korniza aktuale e Brukselit për ndihmën e para-anëtarësimit përfundon në vitin 2027 dhe Shkupi planifikon të mos përfshihet në planet për kornizën e ardhshme të para-anëtarësimit, por të jetë pjesë e zgjerimit të parë të ardhshëm të Bashkimit dhe t’i përdorë fondet për shtetet anëtare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu