Lufta civile pas rrëzimit të Gedafit dhe ndërhyrja britanike: si u shndërrua Libia në “Somalinë e Mesdheut”

Ndërhyrja e ish-kryeministrit David Cameron në Libi u ndërmorr pa analizim të përshtatshëm nga shërbimet sekrete, dhe u përshkallëzua me qëllimin e padeklaruar të ndryshimit të regjimit. Ky është përfundimi tronditës që u publikua në një raport të komitetit të përzgjedhur për punët e jashtme në Britani. Dështimi i ndërhyrjes britanike bëri që Libia të shndërrohej në një shtet jofunksional shoqëruar me një luftë civile të shumë palëve ndaj të gjithëve.

Por si mbërriti Libia deri në panoramën që përshkruhet në raportin e parlamentarëve britanikë dhe që vendos gishtin e përgjegjësisë tek ndërhyrja e huaj në këtë vend?

Më 15 shtator 2011,  David Cameron udhëtoi në Tripolin e sapoçliruar së bashku me presidentin e atëhershëm të Francës, Nicolas Sarkozy. Ata u rrethuan nga kryengritësit që shprehën mirënjohjen për sulmet ajrore të NATO-s që i ndihmuan të sigurojnë fitoren ndaj Muammar Gaddafit.

Duke shkëlqyer nga kënaqësia, nën diellin e fortë të Tripolit, Cameron deklaroi: “Miqtë tuaj në Britani dhe në Francë do ju mbështesin ndërsa ju ndërtoni vendin dhe demokracinë në të ardhmen”.

Në atë kohë, optimizmi mund të ndjehej që në ajër. Në kampet e kryengritësve, baret, kafenetë, hotelet që ishin mbushur me biznesmenë të huaj dhe mes rrënojave të kokërrzuara të kompaundit gjigand presidencial të Gedafit, Bab al-Azizia, kudo flitej për progres.

Në llogaritjet e asaj kohe dukej se Libia pa dyshim kishte të ardhmen më të shkëlqyer të të gjitha shteteve që po dilnin nga Pranvera Arabe. Vendi kishte rezervat më të mëdha të naftës në Afrikë dhe vetëm 6 milionë frymë për të ndarë të ardhurat. Demokracia po vinte, e çfarë mund të shkonte keq?

Por, siç doli më pas, çdo gjë shkoi keq.

Politia në Libi shpejt nisi të polarizohej në një betejë të dominuar nga dy fraksionet më të organizuara të dala nga konflikti- islamistët në njërën anë dhe figurat e ish-regjimit në anën tjetër. Por ai polarizim erdhi me rryma të kundërta e tepër të komplikuara. Tributë që janë njësi bazë të politikës në Libi, e ato krijuan një tapet që ndryshonte vazhdimisht të aleancave dhe konflikteve për territore.

Libianët kanë një thënie: “Në Libi një rajon është kundër rajonit tjetër, në  rajon, tributë janë kundër njëra –tjetrës e në tribu, familjet janë kundër familjeve”. Pesë vjetët që pasuan revolucionin vërtetuan trishtueshëm këtë proverb.

Libianët votuan masivisht për qeverinë e parë të tranzicionit, kongresin e përgjithshëm kombëtar. Por shpresa se kjo qeveri do të mund të dilte supër baltës së mjedisit, u shkatërruar në shtator 2012, kur militant të armatosur sulmuan konsullatën amerikane në Bengazi, duke vrarë ambasadorin amerikan Chris Stevens dhe tre persona të tjerë.

Terrorizmi, u bë e qartë, se ishte një fakt jetësor i pas revolucionit. Në Tripoli, kaosi mbretëroni në parlament ndërsa ëndërra revolucionare me shpejtësi u shndërrua në makth. Milicitë e fuqishme refuzuan të çarmatosen, në vend që të shndërroheshin në lojtarë politikë në të drejtën e tyre.

Politika libiane mbeti e bllokuar në klimën e dyshimit dhe mosbesimit të mbjellë nga Gedafi, që kishte mbajtur pushtetin më shumë se për katër dekada duke kundërvënë tributë njëra me tjetrën.

Në vitin 2014, GNC u nda dhe në presionin e britanikëve dhe shteteve të tjera perëndimore, libianët votuan për një parlament të ri- shtëpinë e përfaqësuesve dhe për një fillim të ri. Por zemërimi dhe armiqësua dominuan procesin zgjedhor.

Pak pas këtyre zgjedhjeve, një diplomat ankohej për paranojën që tani ishte kryefjala e ditës mes fraksioneve. “Ata janë të gjithë kaq të tmerruar nga njëri-tjetri”, thoshte ai.

Zgjedhjet sollën një mposhtje të thellë për koalicionin islamist Misratan, që në atë kohë formoi aleancën ushtarake Agimi Libian dhe mori nën kontroll Tripolin. Pjesa e mbetur e parlamentit të ri, ndarë mes tyre gjithsesi iu kundërvunë Agimit Libian, u grumbulluan në Tobruk dhe kështu nisi lufta civile.

Britania ka luajtur një rol kyç në Libi që nga takimi i vitit 2004 në shkretëtirë mes Toni Bler dhe kolonel Gedafit, për t’i dhënë këtij të fundit mirëseardhjen në rikthimin në komunitetin ndërkombëtar.

Politikanë e biznesmenë britanikë, përfshirë Bler, patën një rol kryesor në ndihmën që i dhanë Gedafit për të investuar pasurinë e tij nga nafta. Djali i preferuar i Gedafit, Saif, e bëri Londrën shtëpinë e  tij, e Shkolla e Londrës për Ekonominë ishte e lumtur të merrte paratë e tij.

Kur NATO hyri në luftë kundër Gedafit gjatë revolucionit, Shtetet e Bashkuara qëndruan të tërhequr, ndërsa Britania dhe Franca morën një rol kryesor. Por sapo revolucioni përfundoi, Cameron e la skenën.

Në Londër, u thirrën shumë pak debate parlamentare për Libinë nga ana e qeverisë apo opozitës, madje edhe pse bombardimet britanike kishin bërë goxha shumë për të krijuar rendin e ri në këtë vend.

Kur vitin e kaluar, komiteti i përzgjedhur nga punët e jashtme apeloi që Cameron të jepte të dhëna për hetimet e tij në lidhje me planifikimin britanik të ndërhyrjes në Libi, ish-kryeministri u tha se nuk kishte aspak kohë të lirë në axhendë.

Ndërkohë, diplomatët këmbëngulin se liderët libianë të të gjitha llojeve, janë treguar të mbyllur ndaj mbështetjes. Kujtimet e dominimit nga fuqi të huaja i kanë lënë libianët dyshues për motivet që qëndrojnë pas mbështetjes së të huajve dhe ofertave të tyre për të ndërtuar një shtet modern.

Londra, më në fund, u zgjua për Libinë vitin e kaluar, kur situata ishte katastrofike, trafikantët që përfitonin nga kaosi për të ndërtuar biznesin e tyre, ndërsa ISIS po fitonte terren.

Britania e Madhe së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Italinë, u shfaq si faktor i parë pas qeverisë së trazuar të marrëveshjes kombëtare, krijuar nga një komision i OKB-së. E caktuar pa zgjedhje dhe shumë jopopullore, qeveria nuk ka mundur të krijojë një forcë të vetën të sigurisë, duke u mbështetur rëndëshëm mbi milicitë që në të njëjtën kohë vijojnë të luftojnë njëra-tjetrën.

Marrja e porteve kyçe nga gjenerali i fuqishëm nga lindja, Khalifa Haftar mund të ketë vulosur fatin e kësaj qeveria të re, që tashmë nuk ka aspak akses në pasurinë që vjen nga nafta e vendit.

Të gjitha këto e bëjnë Libinë, me fjalët e një të dërguari special britanik, Jonathan Powell – dëshmitar i takimit të Bler me Gedafin- në një spirale drejt shndërrimit në “Somalinë mbi Mesdhe”./tateshi

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu