Lufta në Ukrainë, reagon Shtëpia e Bardhë dhe paralajmëron Putinit

Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin rajonet e aneksuara nga Rusia në Ukrainë, duke iu referuar asaj që Shtëpia e Bardhë e quajti referendum i paligjshëm dhe i manipuluar nga Moska, e që do të sfidohej ndërkombëtarisht.

“Bazuar në informacionin tonë, çdo aspekt i këtij procesi ishte inskenuar dhe orkestruar nga Kremlini“, u tha gazetarëve, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në një konferencë për shtyp. Ajo shtoi se “Uashingtoni do të angazhohej për të siguruar kundërshtim ndaj njohjes së territoreve të aneksuara, përfshirë në OKB“.

“Pavarësisht nga pretendimet e Rusisë, ky mbetet territor ukrainas”, tha ajo.

Në të njëjtën linjë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha dje se bashkimi i territoreve në lindje dhe jug të Ukrainës me Rusinë nuk do të njihen kurrë. Reagimi amerikan u bë pas publikimit të rezultateve të një referendumi të organizuar nga Moska në disa rajone të Ukrainës që përbëjnë 15% të territorit të Ukrainës. Perëndimi e ka quajtur referendumin një farsë.

Zyrtarët e vendosur nga Rusia në rajonin Donetsk të Ukrainës deklaruan fitoren në një referendum për bashkimin me Rusinë me mbi 99% të votave pro.

“E kemi ëndërruar në vitin 2014 dhe kemi vepruar për këtë. Kjo është një ditë historike. Ne po bashkohemi me atdheun tonë të madh, me Rusinë e madhe”, tha pas shpalljes së rezultateve udhëheqësi i Republikës së vetshpallur të Donetskut, Denis Pushilin

Kutitë e votimit u çuan shtëpi më shtëpi nga zyrtarët në atë që Ukraina dhe Perëndimi e dënuan si referendum farsë për të krijuar një pretekst ligjor për aneksimin e katër rajoneve dhe justifikuar kërcënimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të përdorur armë bërthamore në mbrojtje të “integritetit territorial” të Rusisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu