Lufta speciale e Rusisë filloi. Kërcënimi zyrtar rus ndaj Shqipërisë

Një trakt dy palësh, që do të përfshinte së pari mbrojtjen dhe sigurinë, dhe më pas edhe çështjet ekonomike, dhe të bashkëpunimit edhe ashtu në të gjitha fushat që pretendohet deri më sot, do të ishte një bazë e mirë e hapërimit të përbashkët shqiptarë përballë sfidave.

Janë dy momente, që po përmbysin jo, thjesht narracionet (tregimtarinë e ngjarjeve), por strategjitë ushtarake, politike e ekonomike, gjithsesi edhe kulturore, pushtimi rus i Ukrainës, dhe kriza e Tajvanit, nëse mund ta emërtojmë kështu, pasi kundërshtarët mund të thonë, se atje nuk është arritur kulminacioni i mosmarrëveshjeve.

Të ndodhur nën ethet e pushtimit rus të Ukrainë, shumë shtete perëndimore, përfshirë institute dhe intelektualë, kanë bërë thirrje që pushtimit rus dhe regjimi i Putinit duhet të marrë fund, mbi të gjitha sepse me gjasë kultura perëndimore se duron dot makthin e kërcënimit të vazhdueshëm rus, pa pra, dhe të paarsyeshëm, ku hyn shantazhi me armët bërthamore.

“Shpata bërthamore e Demokleut”

Që nga Lufta e ftohtë, thuajse ky shantazh nga kërcënimi bërthamor rus, Perëndimi s’ka qenë i qetë, me përjashtim të viteve të para të shembjes së komunizmit.

Por, me ardhjen e Putinit në krye të Rusisë, herë si president, herë si kryeministër, por gjithnjë figura qendrore, u rikthye ‘kërcënimi me shpatë mbi kokë’, e njohur me frazeologjinë, “Shpata e Demokleut”, mbi Perëndimin.

Po në këtë mënyrë, i qe referuar kërcënimit bërthamor, në kohën e krizës kubane, presidenti i SHBA-ve, Gjon Kenedi, kur në vitin 1961 në një fjalim në Kombet e Bashkuara, tha: “Çdo burrë, grua dhe fëmijë jeton nën një shpatë bërthamore të Demokleut”.

Sipas mendimit tim është koha, që kjo shpatë të thyhet, të bie apo të copëtohet (dhe të mos rrijë si ajo shpata e varur në tavan për një fije, që rrinte gati ta godiste Demokleun).

Por, natyrisht që ne jemi më të vegjlit apo më të pafuqishmit ta bëjmë këtë si shqiptarë. Derisa para pesë shekujsh ishim ne ata, që e ndaluam për 25 vjet perandorinë më të fuqishme të kohës, atë osmane, sot, jemi në periferi të ngjarjeve dhe të zhvillimeve botërore, pa ia arritur të përcaktojmë thuajse asnjë zhvillim.

Por, pavarësisht kësaj, ne mund të bëjmë kësaj radhe më shumë për vetveten, për dallim nga momentet historikë të pesë shekujve të kaluar.

Ne tashmë kemi dy shtete të mbizotëruara nga shqiptarët në numër, por që nuk ka pasur bashkëveprim të mjaftueshëm, sidomos nga Shqipëria për t’i avancuar proceset për fuqizimin e shtetit dhe shteteve shqiptare.

Një Shqipëri, që shumicën e kohës, që nga pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht ka vazhduar të rrijë indiferente, e në disa raste edhe me qëndrime me pasoja ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllave dhe lëvizjes për Pavarësi. Gjatë luftës në Kosovë e dha një ndihmë, por shumë modeste sa i përket ndihmës së nevojshme të drejtpërdrejt shtetërore e ushtarake, ndihmën e dha duke vënë dispozicion territorin, dhe mbështetjen më të madhe e dhanë vetë qytetarët.

Traktati

Situata e brishtë në veri, ku Serbia nëpërmjet kontrollimit të strukturave paralele ka arritur, që të krijojë tensione, dhe t’i mbajë disa grupe kriminale dhe të tjera në gjendje gatishmërie për konflikt me policinë dhe institucionet tjera në Kosovë, e bën të domosdoshme një lëvizje shqiptare, që shton energjitë e mbrojtjes dhe i bën të dyja shtetet me të sigurta. Një rrugë e këtillë është e mundshme edhe nëpërmjet nënshkrimit të një traktati të mbrojtjes dhe të bashkëpunimit në fushat tjera me Shqipërinë.

Heshtja e presidentit të Shqipërisë z.Begaj ndaj propozimit të presidentes Osmani, po rezulton se ishte gabim, pasi një incident në Shqipëri në Gramsh, ku dyshohet se tre agjentë të Rusisë (dy nga Rusia një nga Ukraina), sulmuan dy ushtarë roje të ushtrisë së Shqipërisë.

Ky sulm po vazhdon të komentohet shumë dhe të shihet si një ndërhyrje e Rusisë në përpjekje të një lufte speciale ruse, për ta provokuar Shqipërinë dhe sigurinë e saj.

Shqetësimet se Rusia do të përpiqet që ta dëmtojë Shqipërinë apo që ta fusë në destabilitet i kam ngritur veçanërisht në një shkrim në fillim të muajit shkurt, kur Rusia i dërgoi një letër ultimative Shqipërisë, duke i kërkuar të pozicionohej qartë, në rast të një lufte në Ukrainë.

“Ne duam të marrim një përgjigje të qartë për pyetjen se si partnerët tanë e kuptojnë detyrimin e tyre për të mos forcuar sigurinë e tyre në kurriz të sigurisë së shteteve të tjera në bazë të përkushtimit ndaj parimit të sigurisë së pandashme. Sa synon konkretisht Qeveria juaj ta përmbushë këtë detyrim në aspektin praktik në rrethanat aktuale? Nëse e refuzoni këtë detyrim, ju kërkojmë ta shprehni qartë këtë”, thuhej në letër, në të cilën Rusia si vend partner i referohet Shqipërisë, si nënshkruese e ‘instrumenteve të samitit të Stambollit dhe të Astanës”. “Pa pasur qartësi të plotë për këtë çështje kyçe që lidhet me ndërlidhjen e të drejtave dhe detyrimeve të miratuara në nivelin më të lartë, është e pamundur të sigurohet ekuilibri i interesave të mishëruara në instrumentet e samiteve të Stambollit dhe Astanës”, thuhet në letrën ruse.

Në fund të letrës, thuhej në mënyrë ultimative. “Ne presim përgjigjen tuaj të menjëhershme”!

Vetëm pak ditë para se të publikohej letra kërcënuese e Rusisë, në Shqipëri qe vendosur Shtabi i Forcave Speciale të SHBA-ve, e cila urdhërohen dhe kontrollon operacionet speciale, përfshirë edhe rastet e evitimit të një konflikti apo edhe të ndërhyrjes në operacione speciale, të papritura.

Vendosja e këtij Shtabi qe bërë me kërkesë të Shqipërisë, dhe se SHBA-të, e kanë zgjedhur Shqipërinë përpara çdo shteti tjetër në Ballkan.

A mund të ketë një traktat dy palësh!?

Në aspektin juridik dhe të marrëdhënieve ndërshtetërore e ka dhënë përgjigjen vet presidentja Vjosa Osmani, e cila edhe ka kërkuar përkrahje për ta bërë një marrëveshje të tillë – traktat, nga presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.

Ka nga të atillë që e shohin si problematike për Kosovën, që një marrëveshje dypalëshe nuk mund të bëhet meqë Shqipëria është në NATO dhe ne e kemi KFOR-in këtu!

Marrëveshjet ndërshtetërore nuk kufizohen asnjëherë, për shtetet sovrane. Aleancat e mëdha janë tjetër gjë, dhe aleancat dy e më shumëpalëshe janë të tjera, dhe këtu nuk thyhet karakteri perëndimor i aleancave. Pra, Kosova nuk do të lidh traktat me një shtet të Azisë, Afrikës apo kudo, dhe që ai shtet, është prorus, prokinezë apo që i përket një interesi, që potencialisht është antiNATO!

Rasti më i njohur i një traktati katër palësh, është ai i grupit të vendeve të Vishegradit i themeluar në vitin 1991, Poloni, Hungari, Çeki dhe Sllovaki (ishin tri shtete, por pas ndarjes së Çekosllavakisë, u bën 4 shtete).

Platforma e kësaj aleance është së pari bashkëpunimi ushtarak, pastaj ekonomik, kulturor, energjetik. Që të katër vendet janë anëtare të NATO-s dhe të BE-së, nga viti 2004.

Pra, asnjëherë nuk është diskutuar pse ekziston kjo aleancë nga të tjerët, e madje as nga brenda.

Madje kjo aleancë u bë edhe më aktive pas sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Madje, me përjashtim të Hungarisë që vazhdon të mbajë rezerva sa i përket vendosjes së sanksioneve edhe nga BE-ja ndaj Rusisë, tri vendet tjera kanë ndjekur politika shumë të ashpra pas pushtimit rus, dhe duke e ndihmuar mjaft shumë Ukrainën, ushtarakisht, ekonomikisht, me pritjen e refugjatëve, veçanërisht Polonia!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu