Ky ishte një aksion simulues i një grupi ushtarako-policor kundër një grupi të armatosur. Operacioni i njësisë policore për intervenim të shpejtë dhe njësisë speciale ushtarake u simulua më 13 shkurt në kazermën Gjorçe Petrov në Shkup, transmeton Gazeta Lajm. Trajnimi u bë nën instruksione ekspertëve të njësive ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Përvoja amerikane në armatë, është bartur tek njësitë elitare vendore, thotë Ministri i policisë, Agim Nuhiu, duke shtuar se mbështetja profesionale dhe trajnimi i suksesshëm paraqesin momente kyçe për detyrimet ligjore të policisë.
“Me këtë rast ne vlerësojmë rezultatet dhe aktivitetet nga kjo stërvitje sepse në këtë mënyrë ne, jo vetëm që do të kemi aktivitete dhe operacione të suksesshme, por shpresojmë që ata do të jenë në një vijë simetrike me standardet universale që i kanë proklamuar edhe SHBA-të”, u shpreh Nuhiu.
Ministri i Mbrojtjes Zoran Jolevksi, tha se përveç këtyre bashkëpunimeve, ARM-ja ka qenë përkrah armatës amerikane edhe në operacionet ushtarake në Irak dhe Afganistan. Jolevski tha se vitin e kaluar ARM ka marrë pjesë në operacione speciale të stërvitjeve në Gjermani, por edhe në stërvitjen më të madhe ushtarake “Anakonda”.
“I kemi të planifikuara edhe 27 trajnime, por do të jenë në segmentet tjera, jo vetëm operacionet speciale. Kemi krijuar bashkëpunim të frytshëm me komandën speciale të NATO-s dhe gjithashtu me komandën speciale të SHBA-së në Evropë”, tha Jolevski.
Stërvitja, sipas ambasadorit amerikan Bejli është rezultat i trajnimit trepalësh nga ana e njësiteve speciale amerikane nga komanda evropiane. Kjo stërvitje, sipas Bejlit është e para nga tre trajnimet tjera që do të zbatohen gjatë vitit për MPB-n dhe ARM-në.
“Kjo është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara për tu përballuar me terrorizmin dhe kjo është arsyeja pse të gjitha njësitë tona duhet të jenë të përgatitur. Kjo është vetëm një shembull i bashkëpunimit tonë shumë të ngushtë gjatë viteve së bashku me policinë dhe ushtrinë e Maqedonisë. Kjo është një shenjë e vazhdimit të partneritetit tonë, nëpërmjet këtyre ushtrimeve, ne bashkërisht do të kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve”, u shpreh Xhes Bejli.
Bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Maqedonisë në fushën e mbrojtjes është në nivel të lartë u than në këtë takim dhe se do të vazhdohet të përforcohet me trajnime dhe pajisje edhe njësitet tjera të policisë dhe ushtrisë.