Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur kërkesë që në Komisionin Qendror Zgjedhor të ketë edhe përfaqësuesin e saj të tretë.
Hysen Durmishi, i cili sapo është betuar si anëtar i LVV-së në KQZ, deklaroi se për këtë çështje do të vendosë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
“Kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje edhe për anëtarin e tretë, për këtë do të vendosë ushtruesja e presidentes”, tha Durmishi pas dekretimit të tij si anëtar i KQZ-së.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës pretendon një ulëse të dytë në këtë institucion. Megjithatë, Rashit Qalaj, përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, nuk pranoi të deklarohej për media lidhur me këtë çështje.
Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes, të hënën ka dekretuar anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor.
Me këtë vendim janë emëruar vetëm nëntë anëtarë të organit që administron proceset zgjedhore në vend, ndërsa pozita e dhjetë ka mbetur ende e paplotësuar. Për këtë ulëse pretendojnë LVV-ja dhe PDK-ja.
LVV-ja do të përfaqësohet në KQZ nga Hysen Durmishi dhe Violeta Durmishi.
PDK-ja do ta ketë përfaqësues Rashit Qalajn, LDK-ja Ilir Fetahun, ndërsa AAK-ja Muharrem Nitajn. Katër anëtarët e tjerë vijnë nga komunitetet jo shumicë.
Edhe gjatë mandatit të kaluar, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk e kishte dekretuar anëtarin e dhjetë të KQZ-së. Për këtë post pretendojnë LVV-ja, si përfaqësuesin e saj të tretë, dhe PDK-ja, si përfaqësuesin e saj të dytë.










