Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike dhe angazhim të qartë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sipas Partisë Guxo, ky koalicion nuk paraqet një bashkim të përkohshëm, por një qëndrim politik të vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.
“Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, transmeton INA.
Në reagim thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë vetëm premtime politike, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.
Po ashtu, partitë vlerësojnë se ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike, me synim një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt në arenën ndërkombëtare, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara.
“Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.










