Reshjet e dendura të borës në Slloveni kanë shkaktuar vështirësi të mëdha në trafik, duke penguar qarkullimin në disa prej akseve kryesore rrugore të vendit.
Bora, e cila ka nisur të bjerë gjatë natës, ka mbuluar edhe zonat e ulëta, ndërsa temperaturat e ulëta kanë krijuar kushte të vështira dhe të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve.
Sipas mediumit slloven “24ur”, rrëshqitja e automjeteve të rënda ka detyruar autoritetet të mbyllin autostradën bregdetare A1, në segmentin ndërmjet Uncit dhe Ravbarkomandës, në drejtim të Koperit.
Probleme janë raportuar edhe në autostradën Dolenjska, ku një kamion ka rrëshqitur në segmentin ndërmjet Višnja Gorës dhe Grosupljes, në drejtim të Lubjanës.
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, autoritetet kanë nisur ndalimin e qarkullimit të kamionëve me peshë mbi 7.5 tonë në disa segmente rrugore, përfshirë autostradën bregdetare, autostradën Dolenjska dhe rrugën e shpejtë Vipava.
Ndërkohë, ekipet e mirëmbajtjes dimërore janë angazhuar për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve. Qendra Informative e Trafikut u ka bërë thirrje shoferëve që të mos qarkullojnë pa pajisjet e detyrueshme dimërore dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet në rrugë.
Reshjet kanë bërë që bora të grumbullohet në disa segmente, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve dhe aksidenteve. Në qafat malore dhe rrugët në lartësi të mëdha, zinxhirët për borë janë të detyrueshëm në ato pjesë ku kjo kërkohet nga sinjalizimi rrugor.
Sipas mediave sllovene, reshjet pritet të dobësohen gjatë paradites, por autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, pasi kushtet e qarkullimit mund të ndryshojnë vazhdimisht.










