Macron: Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se duhet të ketë një ofertë të besueshme për Ballkanin Perëndimor, pasi sipas tij ekziston rreziku i rritjes së ndikimit të fuqive të huaja në vendet e rajonit.

“Para nesh ka një rrezik gjeopolitik nëse Ballkani Perëndimor lëviz drejt Turqisë ose drejt Rusisë. Ky është rrezik”, tha Macron.

Ai foli para Parlamentit Evropian, ku theksoi nevojën e një pragmatizmi nga ana evropiane kur është në pyetje Ballkani Perëndimor.

Ai tha se mbron një qasje të dyfishtë: përafrimi i rajonit kah Evropa, por edhe reformimi i brendshëm i tij përpara anëtarësimit.

“Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë por nuk dua që Evropa të ketë probleme të funksionojë me 28 anëtarët e saj, ndërsa nga nesër do të jenë 27. Ndoshta në disa vite të ardhshme do të vazhdojë me 30, 32 anëtare nën të njëjtat rregulla”, tha Macron.

Ky ka qenë adresimi i tij i parë në Parlamentin Evropian prej se ka marrë detyrën e presidentit të Francës.

Franca është në mesin e atyre vendeve të BE-së, që nuk duan të lidhen me afate kohore sa i përket zgjerimit të bllokut./REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu