Macron nuk lëshon ‘pe’, s’ka negociata më Shkupin dhe Tiranën

Presidenti francez Macron përsëriti në Londër qëndrimin se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë gati për nisjen e negociatave me BE. Ai sfidon strategjinë e presionit publik evropian ndaj tij, shkruan Auron Dodi. Presidenti i Francës Emanuel Macron dërgoi javën që po përfundon disa mesazhe në drejtim të Shqipërisë.

Fillimisht, me një mesazh në shqip në rrjetin e twitterit ai njoftoi dërgimin e ekipit francez për rastet e katastrofave natyrore në Shqipëri. Pas kësaj, ai ofroi në një konferencë shtypi edhe që të organizojë një konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit.

Në Watford pranë Londrës, Macroni përsëriti njëkohësisht se nuk pranon që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut për nisjen e negociatave. Kjo në thelb është në favor të Shqipërisë, pasi dihet që Shqipëria ka më shumë kritikë në BE se Maqedonia e Veriut. Mosndarja e dy shteteve për nisjen e negociatave me BE është edhe qëndrimi i Gjermanisë.

Me këto qëndrime Macroni sinjalizoi se nuk ka ndonjë antipati personale ndaj Shqipërisë. Por të tërheq vëmendjen rrethana se në Londër ai e përsëriti jo-në e tij për hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas burimeve të DW në Londër, Macroni tha fjalë për fjalë:

“Unë e them shprehimisht se procedurat e anëtarësimit dua t’i reformoj përpara çdo negociate të ardhshme.”

Në Londër Macroni tha se do të jetë edhe kundër çdo zgjerimi “që nuk shoqërohet me një reformë të thellë të mënyrës si funksionon BE”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu