Macron: Vetëm një marrëveshje e mirë me Bullgarinë mund të konsolidojë perspektivën evropiane të Maqedonisë në BE

Parisi zyrtar, në cilësinë e kryesuesit të Bashkimit Evropian, i jep mbështetje të plotë një marrëveshjeje mes Shkupit dhe Sofjes që do të zhbllokojë perspektivën evropiane të vendit. Bullgaria thotë se është e interesuar që kërkesat e saj të garantohen nëpërmjet procesit të pranimit dhe nuk do t’i nënshtrohet asnjë presioni të jashtëm kur bëhet fjalë për heqjen e vetos.

Për vendin, anëtarësimi në BE nuk ka alternativë tjetër ndaj dhe do të vazhdojë përpjekjet për të kapërcyer mosmarrëveshjet me Bullgarinë.

Presidenti francez Emanuel Macron dje pas bisedave telefonike me presidentin bullgar Rumen Radev dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski tha se është i gatshëm të takohet në Paris “kur të vijë koha” me autoritetet e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të përfunduar një marrëveshje dypalëshe, që do të mundësojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Franca, e cila mban presidencën e BE-së deri më 1 korrik, “ka disa javë që mbështet kërkimin e zgjidhjes së kontestit mes dy vendeve”, kujton Pallati Elysee pas bisedimeve me presidentin bullgar Radev dhe kryeministrin Kovaçevski.

Gjatë bisedimeve, Emmanuel Macron shprehu “mbështetje të plotë për një marrëveshje midis dy vendeve, e cila do të kontribuojë në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe do të konsolidojë perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Macron shprehu mbështetjen e plotë për një marrëveshje midis dy vendeve, si dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve që pretendojnë se i përkasin komuniteteve ose pakicave të tjera.

Sipas Pallatit Elysee, perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte edhe temë e bisedës telefonike mes presidentit bullgar Radev dhe ndihmës sekretares shtetërore të SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike, Karen Donfried, njoftoi dje shërbimi për shtyp i presidentit bullgar.

Të dy e dënuan si të papranueshme djegien e qendrës kulturore “Ivan Mihajlov” në Manastir.

Sipas Radev, djegia e qendrës kulturore është bërë nga njerëz që po përpiqen të pengojnë procesin e integrimit evropian. Donfrid vlerësoi se qëllimi ishte minimi i procesit të negociatave mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov, duke komentuar zhvillimin e marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes, tha dje se Bullgaria nuk do të bëjë asgjë nën presion për Maqedoninë e Veriut.

Petkov theksoi se Bullgaria po përpiqet të shikojë nëse kërkesat dhe nevojat e saj për mbështetje të bullgarëve në vend mund të garantohen përmes procesit evropian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu