Mali i Zi më afër anëtarësimit në BE

Mali i Zi ka bërë një hap para drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi shtetet e bllokut më 22 prill u pajtuan që të nisnin punën në traktatin e anëtarësimit, thanë zyrtarët.

Ambasadorët nga 27 shtetet anëtare të BE-së vendosën që të themelojë një “grup ad hoc pune” për hartimin e traktatit të anëtarësimit – një hap teknik, por kyç në rrugën drejt anëtarësimit, sipas zyrtarëve.

“Ne jemi të bindur se kjo do të dërgojë një mesazh të fuqishëm që anëtarësimi është i arritshëm për partnerët e zgjerimit”, tha një zëdhënës i Qipros, vend që aktualisht kryeson presidencën e BE-së.

Zëdhënësi tha se ky vendim u mor gjatë një takimi në Bruksel.

Mali i Zi, së bashku me Shqipërinë, janë shtetet që kanë bërë përparim më të madh në rajon në rrugën drejt BE-së, dhe pritet që të bëhen shtetet e para që do t’i bashkohen BE-së që kur Kroacia u pranua në bllok më 2013.

Podgorica ka përmbyllur negociatat për 14 nga 35 të ashtuquajturat “grupe kapitujsh” – runde bisedimesh të organizuara sipas fushave të ndryshme, nga tatimet deri te politika mjedisore – duke rritur shpresat se mund të bëhet anëtare e BE-së në vitet e ardhshme.

“Lajm jashtëzakonisht i mirë po vjen nga Brukseli”, tha ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorqeviq.

Themelimi i grupit të punës është “edhe një tjetër konfirmim se jemi në rrugën e duhur që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028”, shtoi ajo.

Autoritetet në Mal të Zi synojnë të përmbyllin negociatat për anëtarësim deri në fund të këtij viti, në mënyrë që të hapet rruga për nënshkrimin dhe ratifikimin e traktatit të anëtarësimit, një proces që bazuar në praktikat e kaluara zgjat nga një deri në tre vjet./REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu