Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshime në Ligjin për marrëdhëniet e punës, me të cilat rritet kufiri i moshës për përfundimin e marrëdhënies së punës me ligj nga 66 në 67 vjeç, me të paktën 15 vite përvojë pune, përcjell INA.
Megjithatë, ndryshimet nuk e ndryshojnë moshën e pensionimit, e cila është e përcaktuar me Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor dhe mbetet 65 vjeç me minimum 15 vite stazh.
Sipas ndryshimeve të reja, punonjësit mund të vazhdojnë të punojnë deri në 67 vjeç nëse dëshirojnë, ndërsa mund të dalin në pension edhe më herët nëse plotësojnë kushtet e nevojshme.
Sindikatat e Lira të Malit të Zi e kanë përshëndetur rikthimin e këtij kufiri moshe, duke deklaruar se ndryshimi i bërë në vitin 2021 kishte shkaktuar dëme për mijëra punëtorë.
Sipas sindikatës, ulja e mëparshme e kufirit kishte krijuar vështirësi financiare për punonjësit, veçanërisht për ata me kredi, si dhe për ata që nuk kishin plotësuar një vit stazh për një llogaritje më të favorshme pensioni.
Sipas ndryshimeve të reja, është e mundur që marrëdhënia e punës të vazhdojë edhe pas moshës 67 vjeç, nëse punonjësi nuk ka plotësuar 15 vite stazh, deri në përmbushjen e këtij kushti.
Në administratën publike, punonjësit më parë mund të punonin deri në 67 vjeç sipas një ligji të veçantë, ndërsa kufiri prej 66 vjeç ishte aplikuar kryesisht në sektorin privat./INA/










