Mali i Zi votoi “për” pranim të Maqedonisë së Veriut në NATO

Parlamenti i Malit të Zi sot e ratifikoi Protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Në mbledhje mori pjesë kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq i uroi Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për Marrëveshjen e Prespës, me të cilën përfundoi kontesti shumëvjeçar.

Ai theksoi se dy shtetet me këtë i treguan tërë rajonit, Evropës dhe botës se me udhëheqje të matur është e mundur të tejkalohen kontestet disavjeçare.

“Besoj se Maqedonisë së Veriut do t’ia hapim derën e vendeve, të cilave Mali i Zi tashmë i takon. Kuvendi shtetëror do të votojë për këtë ligj”, porositi Brajoviq.

Shefi i diplomacisë malazeze, Sërxhan Darmanoviq në fjalimin para deputetëve theksoi se para tyre është vendimi historik, sepse Mali i Zi për herë të parë miraton inkuadrim të ndonjë vendi në NATO.

Theksoi se hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO është lajm i mirë për tërë rajonin.

“Mbështetja e Maqedonisë ndodhet lartë në agjendën e Malit të Zi. Si anëtare e NATO-s, Mali i Zi është promovues aktiv i zgjerimit të mëtejmë të NATO-s”, tha Darmanoviq dhe shtoi se kjo është rruga e vetme për përparimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Misioni i Aleancës është më relevant se kurdo herë”, tha Darmanoviq dhe shfaqi bindje se hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO do të ndikojë pozitivisht ndaj stabilitetit dhe sigurisë së shtetit, por edhe tërë rajonit.

Deputeti i DPS-së, Obrad Stanishiq beson se me anëtarësimin në NATO, Republika e Maqedonisë së Veriut do të japë kontribut të plotë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Në atë ka mbështetje të plotë nga Mali i Zi”, konkludoi Stanishiq dhe shtoi se është i bindur se Maqedonia e Veriut këtë vit do të bëhet anëtare e barabartë e Aleancës.

Mali i Zi u bë anëtare e NATO-s më 5 qershor të vitit 2017 dhe anëtarësimin në Aleancë e konsideron si garancë të përhershme të sigurisë së vet.

Vendet-anëtare të NATO-s më 6 shkurt e nënshkruan Protokollin për inkuadrim të Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Pas ratifikimit të Protokollit në parlamentet e të gjitha 29 vendeve-anëtare të Aleancës, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtare e barabartë.

Protokollin sot e ratifikoi edhe Sabori kroat. Greqia ishte vendi i parë i cili në Parlamentin e vet e ratifikoi këtë dokument. Protokolli për anëtarësim në NATO deri më tani është ratifikuar edhe nga Sllovenia, Shqipëria dhe Bullgaria.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu