Dallimet sociale jo vetëm që e rendisin Maqedoninë si një prej vendeve me nivel të lartë të pabarazisë sa i takon të ardhurave të banorëve, popullsisë së rrezikuar nga varfëria, apo edhe viteve të pritjes për një vend pune, por po ashtu këto indikatorë po krijojnë bazën e transferimit të varfërisë nga një gjeneratë në tjetrën.
Ky është paralajmërimi që jepet në analizën e “Zhvillimit të qëndrueshëm” të realizuar nga Enti Shtetëror i Statistikave, në kategorinë “Përfshirja sociale”, ku potencohet se papunësia afatgjate po e rrit rrezikun e përjashtimit social dhe jetesa në familje ku asnjë person nuk është i punësuar, apo ku familjarët jetojnë me asistencë sociale, e rrit rrezikun e thellimit të varfërisë ndër gjenerata.
“Përjashtimi social lidhet ngushtë edhe me ndryshimet demografike. Personat më të moshuar po ekspozohen edhe më shumë ndaj varfërisë, ndërsa rritja e transferave sociale që i dedikohen kohezionit të tyre social do të reflektohet negativisht në qëndrueshmërinë e financave publike.
Varfëria po ashtu është e lidhur ngushtë edhe me modelet e qëndrueshme të prodhimit dhe konsumit, pasi personat me nivele të ndryshme të të ardhurave kanë modele të ndryshme të konsumit, të cilat ndikojnë keq në mjedis. Në këtë rast, më të varfrit janë më të ekspozuar nga degradimi i mjedisit jetësor”, thuhet në analizë. Në Maqedoni, më shumë se 43 për qind e popullsisë konsiderohet se jeton në prag të varfërisë, situatë kjo që është më e keqe sesa në disa vende të rajonit, si Bullgaria (40.1 për qind) Greqia (36 për qind), Kroacia. Maqedonia renditet e para në listën krahasuese me disa vende të rajonit dhe të Bashkimit Evropian sa i takon nivelit të varfërisë, por renditet akoma shumë poshtë mesatares së këtyre vendeve sa i takon viteve që duhet për të pritur për një vend pune.
“Më shumë se 17 për qind e popullsisë jeton në familje, në të cilat asnjë person nuk është i punësuar, ose kanë qenë shumë pak të angazhuar në marrëdhënie pune. Trendet e papunësisë afatgjate ndiqen vazhdimisht, pasi përbëjnë rrezik për tërë ekonominë dhe për varfërinë. Papunësia afatgjate është po ashtu treguesi kyç i përjashtimit social. Edhe pse vërehet një trend i uljes së këtyre shifrave, vitin e kaluar shkalla e punësimit arrin në 21.3 për qind, nivel ky që është shumë më i ulët sesa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian”, konstatohet në analizë.
Nga ana tjetër, indeksi Gini, që tregon diferencën mes të ardhurave maksimale dhe minimale në vend – është tepër i lartë. Sipas saj, 20 për qind e popullsisë që klasifikohet si me të ardhura më të larta fiton 7.2 herë më shumë sesa ato me të ardhura minimale. Edhe pse ka disa tendenca për t’u reduktuar, indeksi Gini është i lartë, vërehet në analizë.