Maqedonia dhe vendet tjera të Ballkanit në “paradhomën” e BE-së

Kohëve të fundit brenda Bashkimit Evropian po zhvillohet një debat pa një enuziazëm të madh për procesin e zgjerimit të BE-së drejtë Ballkanit Perëndimor, shkruan agjencia e lajmeve INA.

Ajo që bie në sy është se nuk parashihet ndonjë perspektivë e qartë për rajonin, i cili po vazhdon të prodhoj tensione me udhëheqës të pa përgjegjshëm, duke shkuar drejtë getoizimit.

Këto oferta të lira, po vijnë për faktin se ky rajon vazhdon të ketë një mal me probleme.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka propozuar “Komunitet Politik Evropian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.

Sipas idesë së tij, kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësojë të gjitha shteteve evropiane, që u përmbahen vlerave tona thelbësore, që të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, në fushën e transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve.

Profesori i së drejtës evropiane, Muhamer Pajaziti thotë se, të gjitha shtetet e rajonit që kanë një mal me konteste të hapura, do të mbesin në një paradhomë të BE-së. Më qartë këto shtete do të mund të bashkëpunojnë në shtyllën e parë të Unionit, ku flitet kryesisht për cështje ekonomike.

“Për rajonin e Ballkanit do të mundësohet bashkëpunimi reciprok lidhur me katër liritë themelore të tregut evropian, të cilat janë lëvizja e lirë e mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitalit. Këto vende gjithashtu do të përfshihen në kornizën finaciare të ndihmave apo politikës rajonale të BE. Në këtë drejtim ato mund të thithin para nga fondet struktuore, por gjithmon në bazë të persomancës së realizimit të projekteve”, shprehet Pajaziti.

“Plani Ekonomik dhe Investues” i Bashkimit Evropian që u premtua vite më parë në vlerë prej 30 miliardë eurosh për rajonin ka gjasa të realizohet nëse ecin reformat në drejtimin e duhur.

Por, duhet të pranojmë se BE-ja ka probleme të mëdha, të cilat kanë të bëjnë me vendimmarrjen dhe ndikimet e disa shteteve nga zhvillimet e fundit gjeopolitike.

Nëse e shohim realitetin në disa Shtete Anëtare, nuk duket në horizont ndonjë shpresë e madhe për vazhdimin e rrugëtimit të BE-së. Pedalet e bicikletës mund të ndalen dhe ajo të rrëzohet për tokë.

Ose në të kundërtën duhet një rikonfigurim i ri në kurriz të Ballkanit Perëndimor, i cili për më shumë se 20 vite ka ngelur në klasë, duke mos qenë të gjendje ta mësoj mësimin dhe detyrat e parashtruara nga Komisioni Evropian.

Tani mbetet dilema, a duhet që BE-ja sërish të marrë vendime politike, sikur në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë, duke i shkelur parimet e veta, apo të shikoj ndonjë mundësi alternative për ti mbajtur këto shtete larg ndikimeve të lindjes.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg kohë më parë e propozoi një plan të përafërtë me atë të Macronit.

Schallenbergu ka thënë se për t’i larguar nga orbita e Rusisë vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, ai përfytyronte një sistem, ku ato të integroheshin në fusha specifike, si energjia, transporti dhe tregu i brendshëm, por pa i bërë anëtare zyrtare të BE.

Në këto rrethana, Bashkimi Evropian sot gjendet përballë një dileme, ose të shkoj me një hap të guximshëm drejtë miratimit të një Kushtetute Evropiane, ku shtetet Anëtare do ta dorëzojnë sovranitetin e tyre edhe në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, duke krijuar edhe një Ushtri evropiane, Gjykatë Evropiane me kompetenca më të fuqishme dhe rregulla të unifikuara në politikën e jashtme, ose të kthehet në shtyllën e parë, vetëm në bashkëpunimin ekonomik dhe avansimin e katër lirive themelore përmes të cilave funksionon Tregu i Brendshëm i BE-së.

Në këtë drejtim është e domosdoshme të gjenden e ide që inkurajojnë shtetasit e BE-së, të cilët duken të lodhur dhe kanë humbur besimin tek kjo organizatë. Një numër i madh qytetarësh evropian duket se kanë të vështirë të gjejnë një lidhje midis orientimeve ekonomike dhe sociale të Bashkimit dhe mundësisë për të parë të rritet mirëqenia e tyre.

Më e mira do të ishte që BE-ja të ec përpara duke e integruar Ballkanin dhe Turqinë, ndërsa skenari më i keq do të jetë mbetja vetëm tek bashkëpunimi ekonomik, të cilin nuk e ka aq edhe të sigurtë. Me këtë të fundit do të rikthehet edhe më fuqishëm vendet e lindjes në këtë kontinent, ndërsa BE-ja do të dukej e brishtë duke qëndruar në këmbë të qelqta.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu