Maqedonia keq e më keq, gati të ikin mijëra të rinj

Nëse në të ardhmen Maqedonia bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian (BE) dhe me këtë – të rinjve u lehtësohet mundësia për t’u punësuar në vende e BE-së ashtu siç ndodhi më parë me të rinjtë bullgarë dhe rumunë pas anëtarësimit të këtyre dy shteteve në BE, pritjet janë që një numër shumë më i madh i të rinjve profesionistë nga Maqedonia të ikin drejt vendeve të Evropës.

Kështu thuhet në studimin më të ri për popullsinë botërore të Kombeve të Bashkuara publikuar ditë më parë, studim ky që parashikon prognoza të këqija, pasi për Maqedoninë thuhet se deri në vitin 2050, ky shtet do të shënojë ulje demografike për 6.8 për qind, ndërsa në vitin 2100, në Maqedoni do të jetojnë më pak se 1.5 milion banorë.

“Aktualisht, qytetarët e Maqedonisë si shtetas të një vendi, i cili ende nuk është anëtarë i BE-së, lirisht mund të udhëtojnë në zonën Shengen, por kanë të drejtë të qëndrojnë maksimumi 90 ditë brenda një viti dhe për këtë kohë – nëse gjejnë punë, ekziston mundësia që punëdhënësi t’i sigurojë dokumentet e punës dhe kështu, ata qëndrojnë përgjithmonë dhe nuk kthehen në Maqedoni”, thuhet në këtë studim.

Se gjithnjë e më shumë të rinjtë dëshirojnë të largohen nga Maqedonia ketë e tregon edhe studimi i organizatës gjermane “Fridrih Ebert” dhe Institutit për Hulumtime Sociologjike, Politike dhe Drejtësi publikuar një muaj më parë. Sipas anketës së zhvilluar nga këto dy institucione, më shumë se gjysma e të rinjve në Maqedoni duan të shkojnë jashtë dhe se një e treta prej tyre aspak nuk mendojnë të kthehen më.

“Rezultatet e anketës kanë treguar se 50 për qind e të rinjve duan ta lëshojnë Maqedoninë, 71 për qind janë të pakënaqur me gjendjen financiare dhe ekonomike të shtetit, 65 për qind ikin për shkak problemeve që kanë më punësimin”, thuhet në këtë anketë. Po ashtu, edhe hulumtimi i Bankës Botërore i realizuar këtë vit rezulton se nga viti 2000 e deri në fund të vitit 2013, nga Maqedonia janë shpërngulur rreth 630 mijë shtetas.

“Numër i saktë zyrtarë se sa shtetas të Maqedonisë kanë emigruar nga viti 2009 nuk dihet, për shkak se në vitin 2012 – Maqedonia nuk arriti të numërojë se sa banorë ka. Hulumtimi tregon se deri në fund të vitit 2013, Maqedoninë e kanë lëshuar rreth 630 mijë shtetas”, thuhet në këtë raport të Bankës Botërore.

Me shifra jozyrtare se sa qytetarë të Maqedonisë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2011 ka dalë edhe Enti Statistikor i Bashkimit EvropianEUROSTAT. Sipas EUROSTAT-it, nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2011, Maqedoninë e kanë braktisur më shumë se 230 mijë shtetas kryesisht të rinj. Se ikja e të rinjve nga Maqedonia është shndërruar në trend 10 vitet e fundit ketë e thotë edhe Subhi Jakupi, anëtar i Komisionit Shtetëror për Zgjedhje (KSHZ).

Ai gjatë kryqëzimit të dhënave sipas evidencës së dorëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe evidencës së Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) ka vërejtur se vetëm në vitin 2015, nga Maqedoni janë shpërngulur 78 mijë shtetas. “Sipas evidencës së MPB-së, në Maqedonia ka mbi 1.800.000 mijë votues, ndërkaq sipas evidencës së ESHS-së, kjo shifër është më e vogël për mbi 7000 persona.

Po ashtu, evidenca MPB-së tregon se në vitin 2015, nga Maqedonia janë shpërngulur 78 mijë shtetas, kanë vdekur 5000 qytetarë, 10 mijë kanë ndryshuar adresë banimi, 4000 kanë ndryshuar emrat, 140 persona kanë fituar shtetësi, 35 mijë kanë nxjerrë letërnjoftime të reja, ndërsa 25 mijë kanë marrë patentë shoferi”, ka thënë për mediat Jakupi.

Të gjitha hulumtimet e kryera nga institucionet e huaja statistikore konstatojnë se ikja e të rinjve nga Maqedonia është kryesisht për shkak gjendjes së rëndë ekonomike, prandaj shumë te rinj marrin vendime që të largohen me të vetmin qëllim të gjejnë punë të sigurt në vendet e BE-së, të përmirësojnë standardin jetë- sor, qasje më të mira në arsim… Njëherësh, sipas këtyre hulumtimeve, destinacionet më të dëshiruara të të rinjve kur vendosin të ikin nga Maqedonia janë Anglia dhe Gjermania./koha


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu