Marrëveshja e Ohrit, kauzë e tradhëtuar nga përfaqësuesit e korruptuar të BDI-së!

Dr.Arben Labenishti

Përpjekjet e BDI-së për të bër krahasimin e gjendjes së shqiptarëve para vitit 2001 me këtë të sotmen, duke arsyetuar dhe radhitur si argumente arritjeje: ndryshimet në kushtetutën e vendit; ndarjen teritoriale; parimin e Badenterit; punësimet në administratën publike dhe shtetërore; zyrtarizimin e Universitetit te Tetovës; themelimin e Muzeut të Alfabetit ne Manastir; sjelljen e Monumentit të Skenderbeut në Shkup dhe ndonjë arritje tjetër, janë vetëm përpjekje për ta legjitimuar politikën e tyre destruktive, me qëllim ruajtjen e pushtetit. Kjo sjellje e BDI-së, duhet kuptuar si zhvleftësim i sakrificave të popullit tonë në konfliktin e armatosur të vitit 2001 dhe marrëveshjes me të cilën përfundoj ai.

Pa mëdyshje, mund të konkludohet se objektivi i marrëdhënieve të politikës sonë me popullin, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, është tradhtuar nga politika. Ndërsa implementimi i këtij dokumenti, si objektivi i marredhënieve të politikës shqiptare me atë maqedone është rrënuar nga të dyja palët e politikës.

Mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit, nënkupton politikën destruktive nga pala shqiptare dhe ajo maqedone. Politika maqedone dhe elita e saj intelektuale, e dinin se implementimi i kësaj marrëveshje e hapte rrugën për barazin e shqiptarëve me maqedonët, prandaj ata skanë patur vullnet dhe kanë gjetur mekanizma për mosimplementimin e saj. Fatkeqësisht, politika maqedone rrugën e realizimit të objektivit të saj shumë të dëmshëm dhe rrënues për interesat e shqiptarëve, mosimplementimin e Marrveshjes së Ohrit, e ka realizuar nëpërmjet politikës shqiptare. Një pjesë e madhe e drejtuesve të politikës shqiptare, kanë rënë në grackën e korrupsionit dhe janë të kushtëzuar, ndërsa një pjesë tjetër që gjithashtu se kanë shqetësim interesin kombëtar, janë kënaqur dhe vazhdojn të kënaqen me privilegjet e ligjshme që të jep pushteti. Procesin e implementimit të kësaj marrëveshje, në masë të madhe e kanë dëmtuar edhe ngjarjet kriminale të vrasjeve dhe burgosjeve që kanë ndodhur në vendin tonë nga viti 2001 deri në ditët e sotme. Këto krime, e kanë defokusuar, asfiksuar dhe çorientuar potencialin politik dhe intelektual shqiptar nga objektivi i realizimit të interesave të popullit tone. Me këto mekanizma është rrënuar marreveshja e cila duheshte të jetë dokumenti bazë për ndërtimin e shtetit multietnik.
Klasa politike maqedone në pozitë dhe opozitë, por edhe elita intelektuale dhe kisha orthodhokse, nuk kanë patur dhe nuk pritet të kenë vullnet, për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, pranimin e parimit që shteti te pasqyroj karakterin multietnik të popullatës së vet dhe lejimin e ndryshimeve kushtetuese që do të garantonin barazin e shqiptarëve me maqedonët.

Politika shqiptare dhe elita jonë intelektuale, e kanë për detyrë të gjejnë rrugën dhe mekanizmat për ta detyruar palën maqedone që sa më parë të implementohet Marrëveshja e Ohrit dhe të realizohen ndryshimet në kushtetutën e vendit që do t’i bënin shqiptarët dhe maqedonët të barabartë. Partit politike shqiptare, duhet të kërkojnë me vendosmëri, që ngjarjet kriminale të vrasjeve dhe burgosjeve nga viti 2001 deri në ditët e sotme të bëhen lëndë procedimi në Prokurorinë Speciale. Në të njëjtën kohë duhet të kërkojn themelimin e një Gjykate Speciale, e cila do t’i shqyrtonte këto çështje. Kjo është e domosdoshme jo vetëm për t’u vënë drejtësia në vend, por do të vlente edhe si mekanizëm që të mos përsëriten kështu vepra çnjerëzore që marrin jetë njerëzish të pafajshëm, burgosen të pafajshëm dhe demtojne procesin e realizimit të interesave të shqiptarëve. Por, ashtu si jam shprehur edhe më pare, politika jonë në pozite dhe opozite se bashku me elitën intelektuale nuk na mundësojne realizimin e këtyre ndryshimeve. Ata vazhdojn të rrezatojne intrig, demagogji, munges vizioni, zhgënjim dhe zymtësi që ta vret shpresën për të sotmen dhe për të ardhmen të popullit tonë. Nëse kësaj gjendje do t’ia shtonim edhe konformizmin, frikën dhe paditurin e një pjese të madhe të popullit, kriza jonë bëhet e përkryer.

(Struga Ekspres)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu