Paralajmërimi i Menduh Thaçit për koalicion me LSDM-në është dëshmi se në politikë gjithçka është e mundur, duke marrë parasysh se PDSH-ja një kohë vlente si partner tradicional dhe besnik i VMRO-DPMNE-së
Përderisa tri partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët (ASH), Lëvizja BESA dhe Alternativa e Gashit nuk mund të gjejnë ende gjuhë të përbashkët për koalicion, PDSH-ja e Menduh Thaçit është në bisedime me LSDM-në e Zoran Zaevit për koalicion parazgjedhor. PDSH është më afër koalicionit me LSDM-në sesa me partitë politike shqiptare. Kështu ka deklaruar kreu i kësaj partie, Menduh Thaçi. Ai ka theksuar se është i pamundur një koalicion me Lëvizjen BESA dhe me Aleancën për Shqiptarët, duke potencuar se në zgjedhjet e ardhshme do të luftojë për ti fituar ata.
“Unë nuk bëj pjesë në grupin e politikanëve që sillen me oportunizëm. Situatat janë shumë më të qarta, pas asaj që kemi punuar me kryeministrin dhe liderin e LSDM-së ne shohim gatishmëri shumë më të madhe tek ai që të bisedojmë të gjitha temat të cilat janë të hapura. Pa eliminuar meritat e kryeministrit Zaev për de bllokimin e procesit integrues dhe mendojmë shumë më afër jemi që të bisedojmë edhe më tutje edhe me kryeministrin edhe me LSDM-në”, është shprehur Thaçi. Nga ana tjetër, edhe kreu i ASH-së, Ziadin Sela është shprehur se brenda javës së parë të vitit të ri do të bëhet e ditur nëse partia e tij do të shkojë në koalicion me Lëvizjen BESA dhe Alternativën, ose e vetme. “Atë që e kam thënë publikisht, natyrisht se tani është radha që ta jetësojmë. Jemi në komunikim e sipër mbi variantin për koalicion mes Aleancës, Besës dhe Alternativës dhe jemi në rrugë të mbarë. Kaq mund t’ju them deri tani”, ka deklaruar Sela, dhe ka shtuar se kjo situatë nuk mund të shkojë në pafundësi, dhe në rast se nuk arrihet koalicioni atëherë ASH mund të shkojë e vetme në zgjedhe.
Megjithatë, përveç partisë së Thaçit e cila është me një këmbë në koalicion me LSDM-në e Zoran Zaevit, KOHA mëson se Alternativa e Gashit paralelisht me bisedimet për koalicion me ASH-në zhvillon bisedime për koalicion edhe me LSDM-në. Nga ana tjetër burime partiake brifojnë se edhe RDK-ja e Vesel Mehmetit është në radarin LSDM-së, ndërsa për këtë çështje vet kryeministri i propozuar teknik ka biseduar disa herë me drejtuesit e RDK-së.
Analisti Faton Aliti vlerëson se afrimi i PDSH-së me LSDM-në e Zoran Zaevit është nevojë e mbijetesës politike. “Deklaratat e Menduh Thaçit i vlerësoj të ndikuara kryekëput nga nevoja për mbijetesë politike. Por ajo që më ndjell dyshime është arsyeja e cila i imponon zotëri Thaçit këto akrobacione nënçmuese për vet atë. Mund të jenë kalkulime zgjedhore të cilat thonë se koalicioni parazgjedhorë i PDSH-së me LSDM-në dhe ndoshta Alternativën, siguron vazhdimin e qeverisjes së koalicionit aktual, dhe me këtë edhe mbijetesën politike të Menduh Thaçit, i cili me të gjitha gjasat ka edhe motive personale që s’kanë të bëjnë as me interesin partiak e as me avancimin e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni”, vlerëson Aliti.
Gazetarja Aleksandra Micoska Mitevska vlerëson se paralajmërimet e Menduh Thaçit për koalicion me LSDM-në, tregon se në politik gjithçka është e mundur. “Paralajmërimi i Thaçit për koalicion me LSDM-në është dëshmi se në politik gjithçka është e mundur, duke marrë parasysh se PDSH-ja një kohë vlente si partner tradicional i VMRO-DPMNE-së. Koalicioni parazgjedhor Zaev-Thaçi, megjithatë nuk është kombinim i keq, edhe për të dy. Për PDSH-në kjo është një mundësi që të fitojë deputet në listat e LSDM-së, që do të ishte në pikëpyetje nëse kjo parti shkon vet në zgjedhje. Për LSDM-në nga ana tjetër, kyçja e partive shqiptare në koalicion është mundësi për të marrë më shumë vota nga votuesi shqiptarë”, potencon Mitevska. Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 12 prill të 2020, ndërsa nga 3 janari me vendin udhëheq Qeveri teknik ku bënë pjesë edhe opozita.










