Mbyllja e “Mehmet Akifit”: Berisha sulmon Turqinë, reagon Rama

Berisha sulmoi sërish Turqinë me shkak mbylljen e kolegjit “Mehmet Akiv Ersoy” me vendim qeverie, duke lexuar në të një vasalitet të Ramës ndaj Erdoganit.

“Problemet ideologjike që ka Erdogani me Gylenin janë probleme të Turqisë jo të Shqipërisë. Nga Shqipëria ne nuk do lejonim kurrë që të lejoheshin akte dhe provokime turke.

Shqipëria është shtet sovran s’mund të jetë vasal i askujt”, tha Berisha, pas së cilit erdhi reagimi i Ramës.

“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë. Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës.

Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi”, shkroi kryeministri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu