Një fëmijë 10 vjeç është mbytur në ujërat e lumit Drin, në fshatin Katund i Ri në Peshkopi. Policia sqaron se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur babai i 10-vjeçarit bëri denoncimin në polici.
“Më datë 29.08.2016, rreth orës 21.30, shtetasi Sh. Gj. nga fshati Mazhic, Bulqizë, ka njoftuar në Sallën Operative se që nga ora 11.00 e paradites nuk i është kthyer djali i tij I. Xh. rreth 10 vjeç. Për herë të fundit është parë rreth orës 15.00 duke u larë në lumin Drin në fshatin Katund i Ri Peshkopi dhe dyshohet se mund të jetë mbytur në lumë duke u larë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivë të Komisariatit të Policisë Dibër, ku kanë ushtruar kontroll gjatë gjithë natës, dhe gjatë orëve të para të mëngjezit përgjatë shtratit të lumit Drin. Nga ura e fshatit Katund i Ri, deri tek ura e fshatit Muhurr, në një distancë rreth 5 km, si rezultat i kërkimeve të forcave të policisë rreth orës 09:30, të datës 30.08.2016 në vendin e quajtur “Shenjat e Brezhdanit”, mbi urën e fshatit Muhurr, është gjetur trupi i pa jetë i fëmijës 10 vjeç, shtetasi I.Xh, banues në fshatin Mazhic, Bulqizë”, sqaron policia e Dibrës.
Nga kqyrja paraprake e kufomës e kryer nga eksperti mjeko-ligjor rezultoi se në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune apo dëmtime të tjera të shkaktuara nga ndonë faktor tjetër, përveç asaj të mbytjes. Dyshohet paraprakisht se shkaku i humbjes së jetës është si pasojë e mbytjes në lum.
Grupi hetimir vijon hetimet në vendngjarje.