“Me ose pa datë, s’ka zgjedhje të shpejta”

Me ose pa datë për fillimin e negociatave në qershor, pushteti nuk do të pranojë kërkesën e opozitës për zgjedhje të shpejta. Në mënyrë të sinkronizuar, LSDM-ja dhe BDI-ja thonë se zgjedhjet e ardhme do të jenë pas 2 vitesh.

“Zgjedhje do të ketë në maj të 2024-ës bashkë me zgjedhjet presidenciale dhe kjo është definitive”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

“Data e zgjedhjeve do të jetë më 2024, në terminin e rregullt, bashkë me zgjedhjet presidenciale ne tani jemi në kohë krize”, tha Sanja Llukarevska, zv/kryetare e LSDM-së.

Por VMRO-DPMNE-ja beson se aktivitetet e tyre dhe populli do ta detyrojë pushtetin të largohet duke mos pritur zgjedhjet e rregullta. Ftojnë qytetarët t’u bashkohen në protestën e 18 qershorit para ndërtesës së qeverisë.

“Nuk pres që më 19 qershor ata të nxjerrin flamur të bardhë para qeverisë dhe të ikin. Ne do të vazhdojmë sepse nuk është e përgjegjshme të heshtim. Sepse tani heshtja nuk është opsion. Do të kemi edhe aktivitete të tjera, do të vazhdojmë edhe me aktivitetet në Kuvend”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të presë deri më vitin 2024. Po ashtu kërkojnë të bëhet kujdes që zgjedhjet të mbahen në kohën kur mërgimtarët janë në vend.

“Kjo për ne është e papranueshme në parim për shkak se ne duam ose tani të ketë zgjedhje parlamentare sa më shpejt që është e mundur ose të përfillet edhe vullneti dhe legjitimiteti i asaj diaspore”, u shpreh Naim Bajrami, Aleanca për Shqiptarët

Zgjedhjet e fundit parlamentare në vend ishin në korrik të 2020-ës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu