Është për t’u theksuar se gjatë vitit 2019 janë regjistruar afër 50 kurorëzime të personave, të cilët edhe pse janë të moshuar dhe që tashmë kanë nipa e mbesa, kanë shprehur dëshirë që edhe në Muftini të bëjnë celebrimin fetar islam. Në ndërkohë, nga fillimi i këtij viti e deri më sot, numri i celebrimeve fetare islame që janë realizuar në Muftininë e Dibrës është rreth 70, ose më shumë sesa celebrimet në institucionet e shtetit
Dekadën e fundit, dibranët si asnjëherë deri tani një vëmendje të veçantë i kushtojnë edhe celebrimeve fetare. Në Muftininë e Dibrës thonë se nga viti në vit vazhdon rritja e numrit të kurorëzimeve që dibranët i realizojnë në aspektin fetar. Në krahasim me kurorëzimet institucionale, numri i celebrimeve fetare islame është shumë më i madh, shkruan gazeta KOHA.
Nga fillimi i këtij viti e deri më sot, numri i celebrimeve fetare islame që janë realizuar në Muftininë e Dibrës është rreth 70. Në krahasim me këtë numër, numri i kurorëzimeve në institucionet shtetërore është shumë më i vogël. Në lidhje me interesimin e madh që ka popullata dibrane për celebrimet islame, koordinatori i Muftinisë së Dibrës, Reshat Kaçallniku, thotë se viteve të fundit ka një rritje të dukshme të numrit të kurorëzimeve që realizohen në Muftini. Aktualisht, para aktit të martesës të gjithë dibranët e rinj pothuajse qind për qind realizojnë kurorëzimin fetar. Por, është për t’u theksuar se gjatë vitit 2019 janë regjistruar afër 50 kurorëzime të personave, të cilët edhe pse janë të moshuar dhe që kanë nipa e mbesa, kanë shprehur dëshirë që edhe në Muftini të bëjnë celebrimin fetar islam. “Edhe për këta çifte të moshuar u kemi mundësuar celebrimet fetare, meqë ajo është dëshirë e tyre”, thotë Kaçallniku, ndërsa shton se mes tyre ka patur edhe bashkëshortë, të cilët sot jetojnë vitet të 50-ta.
“Ne si Muftini jemi të kënaqur nga përcaktimi i çifteve që të bëjnë edhe kurorëzimin fetar. Ka edhe shumë bashkëshortë, të cilët janë me prejardhje dibrane, por që janë kurorëzuar në institucionet jashtë vendit tonë. Gjatë vitit 2019, kemi kurorëzuar në aspektin fetar çifte me prejardhje dibrane që sot jetojnë në SHBA, Itali, Zvicër, Gjermani, në shtete të Beneluksit, shtetet Skandinave e tjerë. Të gjithë ata që bëjnë kurorëzimin fetar islam në Dibër, marrin edhe certifikatën e kurorëzimit që jep Muftinia dhe sipas tyre, në shtetet përkatëse kjo certifikatë ka një domethënie respektive”, shton Kaçallniku.
Sipas përfaqësuesve të Muftinisë, akti i celebrimit bëhet duke respektuar karakteristikat të sheriatit. Numri i rritjes së celebrimeve fetare islam komentohet si rritje e vetëdijes se popullatës për përcaktimin fetar që kanë ata. Me paraqitjen e pluralizmit në vendin tonë, popullata vendase me shumicë filloi të respektoj fenë muslimane meqë në të kaluarën – sistemi i ish-Jugosllavisë krijonte barriera të shumta sidomos për respektimin e fesë islame. (koha.mk)










