Mediat britanike: Çfarë po ndodh me fëmijët e rrëmbyer ukrainas në kampet e Putinit

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar pasoja të rënda. “The Times” sjell në vëmendje një tjetër situatë shqetësuese. në një artikull të publikuar së fundmi thotë se fëmijët ukrainas janë dërguar në kampe nga presidenti rus Vladimir Putin, ndërsa prindërve është thënë se do të shkonin në udhëtime me shkollën, por shumica prej tyre nuk u kthyen më kurrë.

Rrëqethëse është historia e treguar nga 11-vjeçarja Lilya. Vajza 11-vjeçare e Tatiana Vlaiko-s, Lilya, u kthye në shtëpi nga shkolla shtatorin e kaluar duke thënë se klasa e saj do të shkonte në një kamp veror dy-javor. Kjo ngriti menjëherë shqetësim tek familja sidomos tek nëna e saj.

Qyteti i tyre Kherson në Ukrainën jugore ishte nën pushtimin rus dhe kampi ishte në Krime, i aneksuar nga Moska në 2014.
“Kisha frikë,” tha Vlaiko, 36 vjeç.

“Është një luftë dhe i thashë se mund të mos jetë aq e lehtë të kthehesh. Por miqtë e saj po shkonin dhe ajo me të vërtetë donte të shkonte. As nuk dukej se kishte një zgjedhje. Formularët e pëlqimit të dërguara nga shkolla udhëzonin prindërit që të sillnin certifikatat e lindjes dhe dokumente të tjera dhe të ishin në portin e lumit në orën 6 të mëngjesit të ditës tjetër për udhëtimin përmes Detit të Zi “, tregon ajo.

Lidhjet telefonike midis Ukrainës dhe Rusisë janë të ndërlikuara, por gjatë dy javëve të ardhshme, ajo ia doli të komunikonte.

“Lilya i tregoi për udhëtimit, për delfinët, koncertet, vendet që ata vizituan,” tha ajo.

Por ajo gjithashtu përmendi se gjithçka ishte në rusisht dhe ata duhej të këndonin himnin rus çdo mëngjes. Dhe më pas, në vend që të kthehej në shtëpi pas dy javësh, Vlaikos iu tha se vajza e saj ishte zhvendosur nga ai kamp në një tjetër e kështu me radhë.

“Thirra mësuesen e saj, duke e pyetur se çfarë po ndodh, dhe se kur do t’i kthente? Por ajo nuk më përgjigjej më”, u shpreh ajo.

Lilya është mes mijëra fëmijëve ukrainas të rrëmbyer dhe dërguar në Rusi ose Krime gjatë vitit të kaluar si plaçkë njerëzore e luftës.

Një raport nga Universiteti Yale muajin e kaluar tha se më shumë se 6,000 fëmijë të moshës nga katër muaj deri në 17 vjeç po mbaheshin në 43 kampe në një fushatë sistematike “të bashkërenduar nga qeveria federale e Rusisë”.

Por Daria Herasymchuk, komisionerja e Ukrainës për të drejtat e fëmijëve, thotë se ka të ngjarë të jenë shumë më tepër, raporton abcnews.al.

“Sot rusët thonë se kanë 738,000 fëmijë ukrainas që i evakuuan – por nuk është evakuim, por rrëmbim, është një akt gjenocidi,” thotë ajo.

Sipas Herasymchuk, rusët përdorin pesë metoda: “Vrasja e prindërve dhe marrja e fëmijëve; marrjen e tyre direkt nga prindërit; ndarja e prindërve nga fëmijët dhe vendosja e tyre në kampe filtrimi; duke i mashtruar se i dërgojnë fëmijët në kampe sportive ose shëndetësore.

Asnjë fëmijë ukrainas nuk i ka shpëtuar plotësisht konfliktit.

Më shumë se 460 fëmijë janë vrarë dhe pothuajse 1000 janë plagosur, ndërsa Save the Children vlerëson se një fëmijë mesatar në Ukrainë ka kaluar më shumë se 900 orë nën tokë gjatë vitit të kaluar – gjithsej rreth 40 ditë.

Sakaq rreth 1538 shkolla janë shkatërruar ose dëmtuar. Rrëmbimet masive të fëmijëve ukrainas po hetohen nga Karim Khan, kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, i cili ishte në Ukrainë javën e kaluar dhe pritet të flasë për këtë çështje në Gjenevë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu