Mediumi serb: Gjermania nuk do ta tolerojë më retorikën e Vuçiqit dhe Brnabiqit

Retorika e ashpër e Beogradit ndaj Berlinit zyrtar shkaktoi një reagim të qartë të zyrtarëve gjermanë. Duke qenë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministria, Ana Brnabiq kohët e fundit kanë kritikuar ashpër autoritetet e Gjermanisë, diplomatët gjermanë vendosën t’i bëjnë të ditur Serbisë se kjo është e papranueshme për ta.

Siç mëson mediumi serb, nova, diplomatët gjermanë kanë paralajmëruar Serbinë duke i bërë të qartë se nuk do të tolerojnë më retorikën e zyrtarëve serbë që vazhdimisht kritikojnë dhe ofendojnë Gjermaninë.

Diplomatët shprehën pakënaqësitë e tyre duke thënë se “një sjellje e tillë e Beogradit mund të ketë pasoja shumë negative për Serbinë”.

Përfaqësuesit gjermanë i tërhoqën vërejtjen Vuçiqit, se ai nuk duhet të flasë në atë mënyrë për një vend me të cilin Serbia ka bashkëpunim të jashtëzakonshëm ekonomik dhe që ka kontribuar në zhvillimin e saj në masë të madhe.

Është vlerësuar se retorika e përfaqësuesve të qeverisë serbe në periudhën paraprake nuk ka qenë e përshtatshme dhe se shfaqje të tilla mund të ndikojnë në marrëdhëniet e dyja vendeve.

Ndonëse prej vitesh ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer mes Serbisë dhe Gjermanisë, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të mira mes ish-kancelares, Angela Merkel dhe presidentit serb, marrëdhëniet u përkeqësuan pas ndryshimit të qeverisë në Gjermani.

Ashtu siç pritej, ardhja e Olaf Scholzit në pushtet në Gjermani, por hyrja e të Gjelbërve në koalicionin qeverisës, ndryshoi qëndrimin e atij vendi ndaj Serbisë.

Në këtë kontribuuan deri diku rrethanat dhe mbi të gjitha lufta në Ukrainë, e cila nxori në pah nevojën jo vetëm për vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse, por edhe për zgjidhjen urgjente të çështjes së Kosovës.

Ndryshe, Scholz ka qenë në muajin qershor të vitit të kaluar për vizitë zyrtare në kryeqytetin serb teksa ka biseduar për Kosovën dhe pushtimin rus në Ukrainë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu