Mesazh nga qeveria për Berishën: Protestën mbaje, por jo ku do ti

Berishës i është përcjellë së fundi një mesazh nga qeveria se ai patjetër mund ta mbajë protestën e synuar anti-qeveri, por jo ku do ai. Pra, jo te Bulevardi përballë Kryeministrisë. Kjo pasi aty është një zonë e përfshirë në perimetrin e sigurisë për Samitin e rëndësishëm BE-Ballkan Perëndimor, që do mbahet me datë 6, të martën.

Në krah të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka garantuar sigurinë gjatë zhvillimi të samitit të 6 dhjetorit në Tiranë. Sipas tij, kjo është ngjarja diplomatike më e madhe që ndodh në Tiranë.

“Padiskutim do të jetë ditë e shënuar për Shqipërinë. Është ngjarja diplomatike që prej krijimit të shtetit shqiptar. Jemi plotësisht të përgatitur, kemi aftësitë e duhura dhe eksperiencën për organizimin si një vend europian dhe ju garantoj që çdo gjë do të shkojë më së miri”, deklaroi Çuçi.

Sa për protestën opozitare, ai tha se ajo mund të mbahet jashtë perimetrit të sigurisë ku do të zhvillohet samiti.

“Ne asnjëherë s’kemi qenë kundër protestave, gjithmonë e kemi garantuar të drejtën kushtetuese për të protestuar. Kësaj radhe thjesht ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet samiti dhe s’mund të protestohet. Jashtë kësaj zone ne do të marrim gjithë masat që edhe protesta të zhvillohet”, deklaroi ministri i Brendshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu