Mesazhi “Kosova është zemra e Serbisë” është shkruar në fasadën e një ndërtese në zonën kryesore të këmbësorëve në Beograd, ku çdo ditë kalojnë mijëra turistë.
Ky slogan nacionalist, që mohon pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, zëvendësoi një grafit që mohonte gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë.
Ky i fundit ndodhej aty që nga qershori i vitit 2024 dhe si autor ishte nënshkruar grupi ultradjathtist “Patrulla Popullore”.
Aktivistët e organizatës joqeveritare “KROKODIL” e kanë fshirë disa herë atë grafit, por mesazhet nacionaliste kanë vazhduar të rikthehen.
“Ata i bëjnë këto grafite me qëllim që të përhapin propagandë, frikë, urrejtje, nacionalizëm e gjëra të ngjashme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Filip Jovanoviq, aktivist që ka marrë pjesë në rreth njëzet aksione të lyerjes.
Pas aksionit të fundit të aktivistëve, në fasadë u shfaq mesazhi për Kosovën, por, kësaj radhe, asnjë organizatë nuk u nënshkrua si autor.










