Mesazhi nga Samiti në Ohër: Ballkani i hapur i mirë për bashkëpunim rajonal, por nuk është alternativë e BE-së

Liderët e “Ballkanit të Hapur” e konfirmuan përkushtimin e tyre për hapjen e kufijve, qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit dhe punës, ndërsa bashkëpunimi dhe mbështetja reciproke, siç thanë në Samitin e Ohrit, tashmë janë duke dhënë rezultate.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është një rajon i qëndrueshëm dhe i zhvilluar që përmirëson jetën e qytetarëve në të gjitha fushat, është krijuar për një bashkëpunim më të madh rajonal dhe zhvillim ekonomik të vendeve anëtare, por nuk është një zëvendësues i Bashkimit Evropian, ishte mesazhi nga samiti dyditor në të cilin morën pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, Dimitar Kovaçevski, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryetari i Këshillit të Ministrave të BeH-së, Zoran Tegeltia dhe komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhei.

Qëndrimi i përbashkët i liderëve është se bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve në rajon është për zhvillim më të madh ekonomik dhe për arritjen e integrimeve evropiane.

Samiti, siç vlerësoi kryeministri Kovaçevski, përfundoi me sukses dhe rezultoi me marrëveshje të nënshkruara, të cilat kanë përfitime konkrete pozitive për qytetarët e rajonit në fushën e turizmit, kulturës, në bashkëpunim me administratat tatimore të vendeve nismëtare.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij të pranojnë me sa më shumë përgjegjësi që zgjerimi në Ballkanin Perëndimor tashmë është çështje strategjike dhe e sigurisë.

Përkushtimi ndaj iniciativës është standard më i mirë i jetës për qytetarët, gjegjësisht ofrimi i infrastrukturës më të mirë, sistemi politik me të gjitha atributet e tij, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, efikasiteti i administratës dhe i të gjitha institucioneve”, tha Kovaçevski.Kjo theksoi se kjo është një nismë origjinale e ish-kryeministrit Zoran Zaev, presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, bazuar në vlerat evropiane. Sipas tij, shtetasit e Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe ata të Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës, kanë të drejtë të jetojnë në bazë të vlerave evropiane dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Ai bëri të ditur se kompanitë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia që menaxhojnë me pikat pagesore janë duke punuar në lidhjen e sistemeve elektronike, gjë që do t’i ndihmojë qytetarit nga Serbia me etiketë për pagesë elektronike me automjetin e tij të mund të kalojë pa u ndaluar në pikën pagesore të Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Nisma, nënvizoi ai, synon hapjen e kufijve dhe qarkullimin më të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve. Në kushtet kur e gjithë Evropa po përballet me pasojat e krizës ushtarake, energjetike, ekonomike dhe shëndetësore, sipas Kovaçevskit, vendet e rajonit natyrshëm janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kanë një qëllim të përbashkët – të ecin përpara së bashku.

Për presidentin serb Vuçiq më e rëndësishme është që të forcohet bashkëpunimi dhe vendet e rajonit të ndihmojnë njëra-tjetrën në tejkalimin e vështirësive me rezervat ushqimore dhe në fushën e energjisë.

Është e rëndësishme që në takimin e ardhshëm të formohen menjëherë grupet e punës, të cilat i propozoj të jenë diku në Serbinë jugore, para samitit të madh që kemi dhe panaireve në fund të verës në Beograd. Le të biem dakord të formojmë grupe pune që do të kujdesen se si të kapërcejmë vështirësitë me rezervat ushqimore dhe në fushën e energjisë, si të ndihmojmë njëri-tjetrin për të mbijetuar dimrin, sepse mendoj se është me interesin më të madh për të gjithë qytetarët e vendit tonë tre shtete dhe i gjithë rajoni. Në formimin e atyre grupeve punuese dhe atyre marrëveshjeve, nëse duan të marrin pjesë, janë të mirëseardhur përfaqësuesit e Malit të Zi, BeH, Prishtinës, kushdo që dëshiron”, tha Vuçiq në fjalimin e tij.

Siç tha ai, e rëndësishme është përshpejtimi i të gjitha projekteve të përbashkëta.

“Sot nënshkruajmë marrëveshje për diploma me të cilën do të përshpejtohen të gjitha proceset rreth lejeve të punës. Ejani të shohim çka kërkojnë tjetër njerëzit nga ne, t’i dëgjojmë odat tona ekonomike, çka mund të lehtësojmë në tregtinë me mallrat, kapitalin, njerëzit dhe shërbimet, çka mund të bëjmë për turizmin dhe tërheqjen e qytetarëve serb në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut dhe t’i ftojmë miqtë tanë shqiptarë dhe maqedonas ta vizitojnë Serbinë”, tha Vuçiq.

Në takimin në Ohër mori pjesë edhe kryeministri malazes Dritan Abazoviq, i cili njoftoi mbështetjen e qeverisë së tij për çdo nismë që çon në përparim në Ballkanin Perëndimor. Për aderimin e vendit, i cili ende nuk është zyrtarisht anëtar i nismës Ballkani i Hapur, ai tha se pas kthimit në Mal të Zi do të diskutojë me ministrat resor për përfitimet e kësaj nisme dhe do të vendosë nëse vendi do të anëtarësohet.

Nëse ndokush mendon se vetë mund t’i kënaq të gjitha nevoja në shekullin 21 në vitin 2022 le të jetë me fat, por një politikë e tillë është fatale, nëse nga ana tjetër në një bisedë të hapur zhvillojmë besim, krijojmë shoqëri e cila mund të krijojë vlerë të re, krijojmë shoqëri e cila mund të japë shans disa politikave të reja të iniciuara me dëshirë për rritje më të madhe ekonomike dhe mobilitet të qytetarëve tanë me të vërtetë mendoj se kësaj duhet t’i jepet shans”, tha Abazoviq.

Kryesuesi me Këshillin e Ministrave të BeH-së, Zoran Tegeltia premtoi se do ta investojë gjithë fuqinë e tij për të bindur ata që kundërshtojnë nismën për hyrje zyrtare të vendin të tij në Ballkanin e Hapur.

Komuniteti i biznesit i BeH-së tani është plotësisht i përkushtuar ndaj Ballkanit të Hapur. Qytetarët janë të vetëdijshëm se çfarë sjell ai. Duhet të marrim një vendim politik dhe pse nuk është marrë është ende e vështirë të flasim. Askush nga ata që supozohet ta kalojnë nuk kanë thënë pse janë kundër Ballkanit të Hapur, qoftë për shkak të frikës se ai është zëvendësim i anëtarësimit në BE apo për shkak të një lideri që e ka propozuar këtë ide. Sot u bë përpjekje që ky vendim të paraqitet në një seancë të Presidencës së BeH. Por është marrë vendim që kjo pikë të mos futet në rend dite. Shpresoj që ata që ushtrojnë presion publik do të kontribuojnë në këtë vendim. Do të drejtoj të gjitha kapacitetet dhe energjitë e mia për të bindur ata që janë kundër kësaj nisme për korrektësinë e saj. Vendimi nuk ka të bëjë me luftën në Ukrainë, por është çështje e brendshme jonë, tha Tegeltia në pyetjen e gazetarëve se çfarë ua ndryshoi mendjen tani t’i bashkohen kësaj nisme.

Nisma Ballkani i Hapur është një mundësi për rajonin që ta ndryshojë realitetin dhe t’i tejkalojë sfidat me të cilat po ballafaqohet tashmë e disa vite, të mos them dekadash. Ballkani i Hapur mund të jetë edhe një mundësi për ta përshpejtuar rrugën drejt BE-së. Nëse punën e kryejmë mirë do të përshpejtohet integrimi evropian i rajonit, deklaroi në Ohër komisari evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësi Oliver Varheji në fjalimin në Samitin Ballkani i Hapur.

Nuk ka kuptim të flasim për anëtarësimin në BE dhe integrimin evropian të rajonit nëse në vetë rajonin ka ende duhet t’ua nostrifikojnë diplomën nëse doni të punoni në një vend tjetër, kjo do të thotë se duhet të punoni një orë nga vendbanimi juaj. Nuk vlen asgjë nëse biznesi juaj nuk mund të tregtohet siç duhet ose nëse nuk mund t’i shesë shërbimet e veta në rajon sepse sipas vlerësimeve tona rajoni mund të krijojë një të tretën e BPV-së së vet vetëm nëpërmjet integrimit ekonomik. Rajoni e ka këtë potencial dhe vetëm rajoni mund ta japë. Ballkani i Hapur duhet të vazhdojë më tej me nënshkrim të marrëveshje që i lehtësojnë jetët e njerëzve”, theksoi Varheji.

Përmes video fjalimit në Samit u drejtuar edhe Gabriel Eskobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari shtetëror për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor. Ai u ka theksuar liderëve se kjo nismë duhet të mbetet ekonomike, sepse siç thotë ai nuk është politike dhe nëse mbetet ekonomike do të ketë mbështetje më të gjerë.

Ky nuk është një projekt politik, por një projekt i rëndësishëm ekonomik dhe është e rëndësishme të qëndroni në atë mënyrë dhe të fokusoheni në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit dhe në këtë mënyrë do të keni mbështetje,” u tha Eskobar pjesëmarrësve të samitit.

Liderët e vendeve të Ballkanit të Hapur, Kovaçevski, Vuçiq dhe Rama, nënshkruan dokumente mbi bashkëpunimin në fushat e arsimit, kulturës, turizmit dhe politikës tatimore. Të tre vendet nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara. Dispozitat përshpejtojnë procedurën e pranimit të diplomave dhe titujve profesional, gjë që thjeshton dhe lehtëson procedurën, si një përfitim i jashtëzakonshëm për qytetarët e rajonit me implikime pozitive për tregun e përbashkët të punës. Memorandumi në fushën e turizmit parasheh aktivitete për promovimin e përbashkët të rajonit si destinacion atraktiv turistik. Ndërsa Memorandumi për Kulturën parashikon krijimin e një kalendari të përbashkët të ngjarjeve kulturore që do të sjellë lëvizshmëri më të madhe te audienca dhe do të nxisë turizmin kulturor. Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunimin e administratave tatimore ndërmjet vendeve të rajonit do të krijojë mundësi të reja për lëvizjen më të lehtë ndërkufitare të njerëzve, mallrave apo shërbimeve.

Në Samitin e nismës “Ballkani i Hapur” në Ohër, u ra dakord që të zbatohet shpejt marrëveshja dhe të zhvillohen projekte të reja për lehtësimin e jetës së popujve të rajonit, të cilat do të përcaktohen në takimet e ardhshme të punës në Beograd dhe Tiranë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu