Burim Meta, këshilltar i ish-presidentes Vjosa Osmani, ka deklaruar se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, nuk është ekuivalent me Osmanin.
Sipas tij, të gjithë të propozuarit të VV-së për postin e presidentit kanë më pak vlerë dhe karizëm sesa Osmani.
“Nga kandidatët të cilët i ka propozuar, të gjithë janë më pak të vlerës, të karizmit sesa Vjosa Osmani. Konjufca nuk është ekuivalent me Osmanin”, ka thënë ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Meta ka shtuar se lista e Osmanit që do të hyjë në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit do të marrë elektorat të Lëvizjes Vetëvendosje e edhe ata që e kanë votuar këtë parti për shkak të Vjosa Osmanit.
“Ne do ta ngjallim elektoratin e fjetur të LDK-së, do të marrim elektorat nga VV-ja dhe do t’i marrim të gjithë ata që e kanë votuar VV-në për shkak të Vjosa Osmanit”, ka deklaruar ai.
Ai më tej ka vlerësuar se Osmani po kthehet në shtëpinë e saj, aty ku ka kontribuar gjatë.
“Po kthehemi në shtëpinë tonë, aty ku kemi kontribuar gjatë, aty ku e kemi vendin, ku kemi qenë edhe ideologjikisht si parti e qendrës së djathtë. Kjo nuk mund të komentohet ndryshe përveçse një pranueshmëri. LDK-ja po kthehet në pozicionet e saj dhe aktivizimi i Vjosa Osmanit përmes LDK-së një herë e përgjithmonë do të stabilizojë skenën politike në Kosovë… E rëndësishme është që Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës, që presidenca e këtij shteti ka nevojë edhe për një mandat të Osmanit. Kemi lënë një institucion në të cilin Osmani ka kontribuar shumë dhe ka krijuar miq e marrëdhënie strategjike për Kosovën”, ka theksuar ai.
Meta tutje ka njoftuar se edhe ai do të jetë pjesë e listës së Osmanit.










