Një traditë e re kulturore po fillon për Çairin dhe Shkupin, tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti me rastin e edicionit të parë të Festivalit internacional të muzikës “Çarshia” që do të mbahet nga sot deri më 26 korrik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Siç theksoi Mexhiti në konferencën e sotme për shtyp, nën drejtimin artistik të Inva Mulës dhe Dëshira Ahmetit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një program të pasur me muzikë klasike, opera, flamenko dhe zhanre të tjera që kombinojnë traditën dhe interpretimin bashkëkohor.
“Çairi po pasuron kalendarin e tij kulturor me një tjetër ngjarje të rëndësishme. Nga sot deri më 26 korrik do të mbahet edicioni i parë i Festivalit internacional të muzikës “Çarshia”, një iniciativë që për qëllim kemi ta shndërrojmë në një ngjarje tradicionale vjetore dhe ta zhvillojmë në një nga manifestimet më të rëndësishme kulturore në qytet. Festivali do të mbahet në Suli an dhe Kurshumli an, dy nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, të cilat gjatë katër netëve do të të presin artistë të njohur vendas dhe ndërkombëtarë”, tha Mexhiti.
Sipas tij, zgjedhja e këtyre hapësirave nuk është e rastësishme.
“Çarshia e vjetër e Shkupit ka qenë gjithmonë një vend takimi për kulturat, njerëzit dhe historinë. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se është vendi i duhur ku arti mund të fitojë një rol edhe më të rëndësishëm në jetën publike dhe të krijojë një lidhje natyrale midis trashëgimisë sonë dhe krijimtarisë bashkëkohore”, ka thënë Mexhiti.
Ai shprehu bindjen se investimi në kulturë është po aq i rëndësishëm sa investimi në çdo fushë tjetër të zhvillimit të qytetit.
“Përmes projekteve të tilla, krijojmë mundësi për artistët, ofrojmë përmbajtje kulturore cilësore për qytetarët dhe njëkohësisht kontribuojmë në promovimin e identitetit kulturor dhe historik të Çairit dhe Shkupit. Qëllimi ynë është që ky festival të zhvillohet në një platformë të qëndrueshme që do të rritet në cilësi dhe përmbajtje nga viti në vit, do të tërheqë artistë dhe vizitorë nga rajoni dhe më gjerë dhe njëherësh do të pasurojë ofertën kulturore të Shkupit”, nënvizoi Mexhiti.
Në konferencën për shtyp mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, si dhe artistet e operës, Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti.










