Mexhiti: Po e lidhim Shkupin me Prishtinën

Izet Mexhiti, një nga liderët e VLEN-it dhe kryetar i Komunës së Çairit, ka deklaruar se vendosja e gurthemelit të autostradës Shkup–Bllacë shënon një hap të rëndësishëm për lidhjen infrastrukturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Sot vendosëm gurthemelin e autostradës Shkup–Bllacë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për vendin dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, tha Mexhiti.

Ai theksoi se autostrada ka rëndësi strategjike, pasi do të lidhë më mirë Shkupin me Prishtinën dhe do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve, bizneseve dhe familjeve mes dy vendeve.

“Është rruga që lidh Shkupin me Prishtinën. Dy kryeqendra, dy ekonomi, mijëra familje, biznese e njerëz që çdo ditë lëvizin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Mexhiti.

Sipas tij, ky projekt nuk është vetëm një investim në infrastrukturë, por edhe një lidhje më e fortë mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Sot nuk flasim për atë që do të bëhet. Sot e nisëm!”, deklaroi ai.

Mexhiti tha se rezultatet konkrete janë mënyra më e mirë për të dëshmuar peshën politike të përfaqësimit në Qeveri.

“Sepse pesha në Qeveri nuk matet me fjalë. Matet me atë që arrin ta bësh për njerëzit e tu”, tha ai.

Në përfundim, Mexhiti e përshkroi projektin me një mesazh të shkurtër: “Shkupi më afër Prishtinës. Shqiptarët më afër njëri-tjetrit. Puna jonë po shihet!” (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu