Mickoski: Nesër do të flas me kryetaren e KE-së, Ursula von der Leyen, propozimi francez nuk duhet të miratohet

Para ndërtesës së Qeverisë sonte me moton “Ultimatum, jo faleminderit” filloi protesta e dhjetë kundër propozimit francez.

Edhe pse ministri i jashtëm Bujar Osmani, edhe një herë ripotencoi se “Protokolli me Bullgarinë do të publikohet para se të nënshkruhet e në të nuk ka asgjë të diskutueshme”, para MPJ-së protestuesit i shpallën tradhtarë kryeministrin Kovaçevski, ministrin Osmani dhe Zëvendës kryeministrin për eurointegrime, Mariçiq.

Para kuvendit edhe një herë u shpalos banderola me foto e deputetëve të shumicës parlamentare.

Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, ende shpreson se në momentin e fundit Qeveria do t’i thotë “jo” propozimit.

“Ajo që ofrohet nuk është fillimi i negociatave për Maqedoninë. Për të filluar negociatat duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe ne si parti kemi thënë që kjo nuk do të ndodhë. Unë me shumë përgjegjësi pohoj se partia ime nuk do të votojë për amendamentet kushtetuese, e mendoj se nuk do të votojnë as deputetët e LSDM-së, pasi ta shohin Protokollin që do ta nënshkruajë Bujar Osmani. Jini të qetë dhe apeloni opinionin maqedonas se nuk do t’i mbështesim amendamentet kushtetuese”, tha Mickoski në fillim të protestës.

I pyetur nga një gazetar bullgar se çfarë do t’i thotë nesër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Mickoski u përgjigj: “Do i them se kjo është Maqedonia dhe populli maqedonas me traditën e vet, popull maqedonas që ka kulturën e vet dhe flet gjuhën maqedonase”.

Të enjten protesta do të mbahet në orën 12, para fillimit të seancës parlamentare, ku do të diskutohet Informacioni mbi përmbajtjen e kornizës së negociatave të Propozimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu