Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski përmes një statusi i është drejtuar sërish ish kreut të partisë që drejton, azilantit të arratisur Nikolla Gruevski, përcjell TV21. Mickoski thotë se ish kryeministri Gruevski po negovion me Qeverinë, për të përçarë VMRO-DPMNE-në, por që sipas tij, ai është i gatshëm që ta kundërshtojë Gruevskin në këtë ide.
“Më vjen keq që vendose në hapin e të bërit parodi publike dhe të shërbesh për të defokusuar nga krimi i kësaj qeverie kriminale dhe ju kuptoj, por nuk ju justifikoj dot. Nuk ka nevojë për dialog përmes mediave, por meqenëse më jeni drejtuar me status, unë do t’ju përgjigjem vetëm një herë në të njëjtën mënyrë: Nikolla, nuk kam ndërmend të jem pjesë e skenarit të krijimit të përçarjes në favor të kësaj qeverie. Një ditë kur të takohemi sy më sy do të tregoj detajet nëse jeni të gatshëm që t’i dëgjoni. Nuk do të lejoj të harrohet se çfarë po bën kjo qeveri kriminale për të qëndruar më gjatë, duke krijuar një atmosferë ku humbet shpresa e qytetarëve për drejtësi. Nëse do përçarje, ky është vendim i yti, të cilin unë jam gati ta kundërshtoj, sepse nuk është një betejë personale, por një betejë për Maqedoninë, e cila po zhytet gjithnjë e më shumë në krim, ku gjithçka shkon kundër vullnetit të qytetarëve. Dhe ne politikanët jemi të zgjedhur nga populli dhe i përgjigjemi popullit për veprimet tona. Për Maqedoninë nuk duhet të ketë tregtim dhe marrëveshje nën tavolinë. Nuk do të lejoj marrëveshje dhe aranzhime personale në kurriz të interesit kolektiv. Ky nuk është viti 2018, kjo është një kohë tjetër. Si thonë “e vërteta është si gjilpëra, herët a vonë do të dalë”, dhe të vërtetën e dimë unë dhe ti…, por duket se e dinë edhe të tjerët që e thonë publikisht këto ditët e fundit, pak a shumë me zë më të lartë dhe të qartë”, shkruan Mickoski.










