Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski vlerëson se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse duhet të thotë se a ka kushte për tu bërë fushatë zgjedhore dhe parazgjedhore, sepse më i rëndësishëm është shëndeti i qytetarëve.
Mickovski, në emisionin e sontëm në “Top Tema” në televizionin Telma theksoi se ka besim në Komisionin për Sëmundje Ngjitëse, në kapacitetin e Qeverisë teknike dhe në institucionet.
“Nëse ata vlerësojnë se shëndeti i qytetarëve nuk rrezikohet dhe nëse të gjithë ne kemi mundësi që të bëjmë fshatë zgjedhore dhe parazgjedhore pa e rrezikuar shëndetin e qytetarëve, atëherë unë e pres vlerësimin e tyre. E di se ata persona janë betuar dhe sado që të jenë të afërt me ndonjë parti ata kujdesen për shëndetin e qytetarëve”, tha Mickovski dhe shtoi se ata persona duhet të thonë se a kemi kushte elementare që të mbahet fushatë dhe parafushatë, sepse në të kundërtën do të bëjmë fushatë në Fejsbuk.
Sipas tij është për tu habitur fakti që në takimin e fundit të liderëve te presidenti Stevo Pendarovski derisa të gjithë flisnin për shëndetin e qytetarëve, lideri i LSDM-së Zoran Zaev kishte përmendur data të zgjedhjeve.
Mickovski tha se për proces zgjedhor korrekt dhe demokratik nevojitet edhe mendim nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe OSBE/ODIHR, duke theksuar se nevojitet pastrimi i listës zgjedhore.
Ai theksoi se nëse çmimi për fitore është madje edhe një jetë e humbur njerëzish, atëherë ai refuzon të jetë mandatari i ardhshëm i Qeverisë.
“Nëse çmimi është madje edhe një jetë e humbur njerëzish atëherë unë refuzoj që të jem pjesë e procedurës dhe në këtë mënyrë të jem mandatari i ardhshëm i qeverisë”, theksoi Mickovski.










