“Mini-Shengeni”, si derë për Rusinë dhe Kinën në Ballkan

Autoritetet në Kosovë ia kanë drojën shtrirjes së ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon në rast se jetësohet i ashtuquajturi “Mini-Shengeni” ballkanik, i iniciuar në takimet ndërmjet liderëve të Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Kjo nismë, nuk ka gjetur mbështetjen jo vetëm të Qeverisë në largim të Kosovës, por edhe të partive që pritet të vijnë në pushtet si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, raporton REL. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, mendon se një iniciativë e tillë e dëmton dhe e rrezikon Kosovën. Sipas tij, ideja për “Mini-Shengen”, përveç tjerash, mundëson rritjen e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan, e rrjedhimisht edhe në Kosovë. “Mini-Shengeni për të cilin po na fton Vuçiqi, po na fton Edi Rama edhe Zaevi është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan. Pra, nuk është “Mini-Shenegeni” interes i Kosovës. Nuk është as i Evropës as i vendeve tona. Rusia dhe Kina janë të instaluar në të gjitha aspektet në Beograd, janë në ekonomi, siguri dhe janë në politikë. Kur ne bëjmë rregulla të njëjta me automatizëm kjo influencë e instaluar në Beograd e Rusisë dhe e Kinës zgjerohet në vende tona”, ka deklaruar Haradinaj.

Ditë më parë, liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pa pjesëmarrjen e Kosovës e kanë miratuar në Ohër një deklaratë me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal duke përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe aktualisht president i Akademisë Diplomatike Shqiptare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndikimi rus në vendet e Ballkanit Perëndimor është element i rëndësishëm i gjeopolitikës së Rusisë. Ai konsideron se mënyra se si është konceptuar marrëveshja e “Mini-Shengenit” në mes tre liderëve, me qendër Beogradin si një marrëveshje serbo–centriste, edhe do të ndikojë në rritjen e influencës ruse. “Do të ndodh sepse një nga tre vendet që është konkretisht Serbia, tashmë është anëtare e unionit euro-aziatik, ku bënë pjesë Rusia, Bjellorusia, Kirgistani, Kzakistani dhe Armenia. Është një union ekonomik me influencë e ndikim të drejtpërdrejt rus dhe që tenton të rikrijojë në nga format e reja tëish-Bashkimin Sovjetik në mjedisin euro-aziatik”, thekson Bashkurti. Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se një “Mini-Shengen” ballkanik, ku Kosova nuk njihet nga dy shtete si Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina është diçka që nuk shkon në favor të Kosovës, pasi që është ende e paqartë se çfarë në fakt fshihet prapa këtij projekti. Kandidati kryesor për mandatarin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se takimi në Ohër nuk është dashur të mbahet dhe se është dashur të pritet konstituimi i institucioneve të reja të Kosovës. Iniciativat e tilla rajonale janë kundërshtuar edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo iniciativë rajonale, sipas presidentit Thaçi, është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.(REL)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu