Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë sot në Forumin Maqedonaso-Indian të Biznesit, ku theksoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme të jetë një partner i besueshëm dhe pikë strategjike hyrëse për investimet indiane në tregun evropian.
Forumi u mbajt në prani të Presidentes së Republikës së Indisë, Droupadi Murmu, dhe Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa fokusi kryesor ishte zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe krijimi i partneriteteve të reja mes dy vendeve.
Durmishi vlerësoi se ekziston potencial i madh për bashkëpunim në sektorët e teknologjisë informatike, industrisë farmaceutike, industrisë automobilistike, burimeve të ripërtëritshme të energjisë, turizmit dhe bujqësisë.
“Si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, jemi të përkushtuar në zbatimin e reformave që krijojnë një klimë më konkurruese dhe më të parashikueshme për biznesin. Prioriteti ynë është thjeshtimi i procedurave administrative dhe krijimi i kushteve sa më të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja,” deklaroi ministri Durmishi.
Ai shtoi se forume të tilla janë një mundësi e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për krijimin e partneriteteve afatgjata mes kompanive maqedonase dhe indiane.
Në përfundim, ministri Durmishi shprehu bindjen se Forumi Maqedonaso-Indian i Biznesit do të shënojë fillimin e një faze të re të bashkëpunimit ekonomik, duke sjellë investime të reja, vende të reja pune dhe lidhje më të forta tregtare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Indisë.










