Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka reaguar në lidhje me sulmin me raketa që goditi mëngjesin e sotëm Spitalin Soroka në Izraelin jugor.
Araghchi mbrojti sulmin duke pretenduar se objektivi i sulmit ishte një qendër ushtarake dhe e inteligjencës izraelite pranë spitalit.
Ai theksoi se sulmi shkaktoi vetëm “dëme sipërfaqësore në një pjesë të vogël” të spitalit, i cili sipas tij ishte “kryesisht i evakuuar”. Sipas ministrit iranian qendra ushtarake pranë spitalit përdorej për trajtimin e ushtarëve izraelitë të përfshirë në konfliktin në Gaza.
Araghchi kërcënoi se forcat e armatosura të Iranit do të vazhdojnë të godasin “kriminelët që sulmojnë popullin iranian” deri në ndalimin e agresionit.
Nga ana tjetër, drejtori i Spitalit Soroka, Shlomi Kodesh, deklaroi se sulmi iranian kishte shkaktuar dëme të mëdha në repartin e vjetër kirurgjikal dhe në pjesë të tjera të kompleksit, duke lënë disa të plagosur me lëndime të lehta. Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë rrënoja të konsiderueshme në spital, me dritare të thyera dhe mbeturina të shpërndara në oborr.
Spitali Soroka, me kapacitet mbi 1,000 shtretër, është institucioni më i madh shëndetësor në jug të Izraelit dhe shërben një popullsi prej më shumë se 1 milion banorësh. Ai trajton çdo vit mbi 15,000 pacientë me kancer.